Politike

Zgjedhorja, Borchardt: Duhet kompromis për kushtet e opozitës. Vetting kandidatëve

Shefi i Prezencës së OSBE-së, Bernd Borchardt ka mirëpritur takimin mes PS-së dhe PD-së për reformën zgjedhore, i zhvilluar jashtë institucioneve si Parlamenti, duke theksuar se duhet një konsensus mes palëve për miratimin e atyre që ai i cilëson si propozimeve të opozitës.
“Unë u uroj të gjithë aktorëve të përfshirë fat, dëshirën për të bërë kompromis, si edhe shumë energji”, theksoi Borchardt gjatë fjalës së mbajtur në konferencën për rritjen e pjesëmarrjes së grave, pakicave kombëtare dhe personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.
Gjatë fjalës së tij, Borchardt duke shpresuar që brenda 15 marsit të realizohen ndryshimet e Kodit Zgjedhor, u ndal edhe te ideja për ndryshimin e sistemit zgjedhor. “Nëse dëshiron të ndalosh korrupsionin, duhet të ndalosh së qeni i korruptuar. Legjislacioni ekzistues mund të prodhojë zgjedhje të përshtatshme dhe rezultate të besueshme. ODIHR-i e ka theksuar këtë në disa raporte. Kjo nuk ka ndodhur pasi bëhet korrupsion dhe autorët e tij e dinë se sistemi nuk mundet t’i dënojë apo thjesht nuk i dënon sa duhet. Mund të vijoni të përpiqeni të ndryshoni sistemin, por do të ishte më mirë të ndryshonit sjelljen. Ky është parakushti për mbarëvajtjen e gjithçkaje. Sepse nëse shkelësit e ligjit nuk ndryshojnë sjelljen, reformat bëhen të kota”, theksoi ambasadori i OSBE-së.
Borchardt për herë të parë ka komentuar gjithashtu edhe propozimet e PD-së të paraqitur në Këshillin Politik. Sa i përket shitblerja e votës, që është një nga temat e nxehta ai u shpreh se "Ne kemi rekomanduar një fushatë ndërgjegjësimi qytetar përpara zgjedhjeve, ndjekjen penale të shkelësve të ligjit, një zotim të sinqertë të partive politike për të luftuar shitblerjen e votës, si edhe që politikanët të refuzojnë publikisht mbështetjen financiare nga individët me të shkuar kriminale", theksoi Borchardt.
Ai vlerëson se institucionet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë katërçipërisht të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore dhe prokurorët duhet të jenë të gatshëm të shqyrtojnë akuzat për krime zgjedhore, duke shtuar se kjo do të sillte një ndikim frenues.
“Presioni mbi zgjedhësit: Nuk duhet të ushtrohet asnjëfarë presioni për të marrë pjesë në fushatë apo për të votuar në një mënyrë të caktuar. Presioni mbi administratën publike: ODIHR-i ka sugjeruar ngritjen e një strukture të pavarur për trajtimin e pretendimeve për presion mbi administratën dhe abuzime me burimet shtetërore. Hapa të mëtejshëm duhen marrë edhe për depolitizimin e shërbimit civil. Po ashtu, qeveria duhet të hartojë një procedurë sipas së cilës punonjësit e administratës publike mund të denoncojnë çdo lloj presioni ndaj tyre. Këta persona duhet të gëzojnë mbrojtjen si sinjalizues”, theksoi Borchardt. Sa i përket çështjes së ndarjes së plotë të krimit nga politika, Borchardt ka bërë të ditur se duhet të merren në konsideratë mendimet e dhëna nga ekspertët amerikanë. “Unë do të sugjeroja një diskutim të plotë për mënyrat e kufizimit të ndikimit të shkelësve të ligjit në jetën politike të rangut të lartë. Gjatë procesit të vettingut në drejtësi, justifikimi i pasurisë ka luajtur një rol mbizotërues”, shprehet Borchardt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë