Analize

Zgjedhjet në veriun e Kosovës, një test për Serbinë

Edhe pse Lista Serbe e ka pothuajse të sigurtë fitoren, sytë e të gjithëve të dielën do të jenë nga shifrat e pjesëmarrësve, të cilat janë treguesi i vetëm se sa vazhdojnë ta mbështesin serbët në veri te Kosoves politikën e qeverisë serbe.

Zgjedhjet e 19 majit u shpallën pasi kryetarët serbë të katër komunave kryesisht serbe në veri te Kosovës dhanë dorëheqjen në nëntor të vitit 2018 pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të rritur tarifat doganore mbi produktet serbe.

Të katër kryebashkiakët ishin nga Lista Serbe, partia më e madhe serbe në Kosovë dhe e mbështetur nga Partia Progresiste e Serbisë(SNS). Lista Serbe garoi fillimisht në zgjedhjet vendore në Kosovë që vijuan nga fundi i vitit 2013 deri në fillim të vitit 2014, rreth dy vjet pasi SNS-a mori nën kontroll pushtetin në Serbi. Kjo parti është aktualisht pjesë e një koalicioni qeverisës në Prishtinë. Duke pasur nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për serbët e Kosovës në një parlament me 120 deputetë, Lista Serbe ka edhe tre ministra në qeveri.

Si Lista Serbe ashtu edhe SNS-ja shprehen të angazhuara për premtimet e bëra në marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruar nga Serbia dhe Kosova në Bruksel për të integruar institucionet paralele në shtetin e Kosovës dhe për t’u përpjekur në heqjen e pengesave për normalizimin e marrëdhënieve.

Por asnjëra nga këto dy parti nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008 dhe shumica e retorikës së tyre publike bie në kundërshtim me politikën zyrtare të procesit politik të mbështetur nga BE-ja. Në faqen e vet të internetit, Lista Serbe e prezanton veten si partia e vetme e serbëve të Kosovës që mbështetet nga qeveria e Serbisë. Dhe natyrisht, SNS-ja i dha kësaj partie mbështetje ekskluzive para zgjedhjeve vendore të vitit 2017.

Pak kohë para nisjes së votimeve, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i ka ftuar të gjithë serbët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje. Kjo thirrje, sipas tij, bëhet me qëllim që të gjithë qytetarët të tregojnë vullnetin se sa realisht e duan dhe e admirojnë shtetin e Serbisë. “Le të dalin të dielën në zgjedhje, të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre, në katër komunat veriore të Kosovës. Le të dalin e të tregojnë se sa e duan Serbinë dhe të tregojnë se do të luftojnë për të ardhmen e atyre. Kjo është lutja ime”, ka thënë Vuçiq për televizionin serb “Pink”.

Edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhjet që po mbahen sot në katër komunat veriore të Kosovës, shkruan “Zëri.info”. Një ditë më parë Gjuriq u ndalua të hyjë në territorin e Kosovës nga Ministria e Punëve të Jashtme në Prishtinë. Ai tha se kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë dhe se i respekton të gjitha marrëveshjet. Gjatë një interviste për medias serbe, Gjuriq është shprehur optimist se serbët do të votojnë në mënyrë masive. "Unë dua t’u bëj apel bashkatdhetarëve tanë në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë, të gjithë atyre që kujdesen për mbijetesën e serbëve dhe Serbisë, që sot të përgjigjen masivisht dhe ta ngrenë zërin e tyre ndaj përpjekjeve të Prishtinës për procesin zgjedhor në veri”, ka thënë Gjuriq.

Nga ana tjetër, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka përgëzuar subjektet politike dhe qytetarët për fushatën e qetë në katër komunat veriore të Kosovës dhe ka uruar një proces të rregullt zgjedhor. Thaçi ka shkruar në Facebook se Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të suksesshme dhe se zgjedhjet në komunat veriore po mbahen sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/posts/2680930868643922

Beogradi vazhdon të ushtrojë ndikim të konsiderueshëm mbi komunat ne veri. Qytetarët në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok janë nisur tanimë drejt qendrave të votimit për të zgjëdhur kryetarët e këtyre komunave. Përballë tyre qendrojnë kandidatët janë nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ura e Ibrit në qendër të Mitrovicës është një simbol jetëgjatë i armiqësive etnike të qytetit. Serbët jetojnë në veri, shqiptarët në jug. Lumi Ibër përbën një vijë ndarëse mes tyre. Ura 30 metra e gjatë ishte pika famëkeqe gjatë dhe pas luftës së Kosovës në vitet 1990. Sot, ajo vijon të mbetet e mbyllur për makinat, por për këmbësorët ofron një mundësi të fortë për të parë këto dy botë të ndryshme dhe të ndara.

Në anën jugore, shqiptarët shesin flamuj shqiptarë dhe amerikanë. ATM-të shërbejnë për të tërhequr euro. Një xhami gjendet mbi një shesh tregu të zhurmshëm.

Në anën veriore, dyqanxhinjtë që flasin serbisht bëjnë pazar në dinarë ndërsa në kishat ortodokse bien vazhdimisht kambanat. Tabelat janë shkruar në alfabet cirilik. Shumë biznese nuk pranojnë karta krediti dhe as nuk lëshojnë fatura, ndërsa disa prej makinave nuk kanë targa, shenja të një paqartësie ligjore në enklavën e drejtuar nga serbët.

Tre blloqe në verilindje të urës gjendet zyra e Iniciativës Civile për Liri, Demokraci dhe Drejtësi, (SDP) partia kryesore opozitare në veri te Kosovës. Këtu ishte vendi ku Oliver Ivanoviç po përpiqej të ringjallte karrierën e tij politike, duke garuar për postin e kryebashkiakut në veri te Mitrovicës, pak muaj para se të vritej.. Vrasja e Ivanoviçit tërhoqi vëmendjen e medias ndërkombëtare, por mediat zbuluan se krimi është vetëm maja e ajsbergut kur vjen puna të rastet e pazgjidhura të dhunës politike brenda bashkësisë së serbëve të Kosovës.

Sulmet ndaj serbëve të Kosovës

Deri më tani raportohet për 74 sulme mbi serbët e Kosovës, përfshirë sulme me armë, granata, zjarr apo eksplozivë që nga viti 2014, kohë kur Lista Serbe mori pushtetin pas zgjedhjeve vendore. Viktimat përfshijnë politikanë, anëtarë të policisë apo forcave të sigurisë, gazetarë, sipërmarrës dhe zyrtarë të institucioneve të shtetit. Policia e Kosovës nuk i trajton asnjë nga këto raste si dhunë etnike, duke nënkuptuar se nuk mendojnë se shqiptarët e Kosovës janë përgjegjës për sulmet.

Përveç vrasjes së Ivanoviçit dhe një tjetër politikani të opozitës katër vjet më herët, asnjë nga incidentet nuk ka qenë vdekjeprurës , megjithëse banorët thonë se sulmet kanë rritur frikën mes qytetarëve të zakonshëm.

Shumica e incidenteve përfshijnë shkatërrimin e makinave apo pronave dhe ndodhin natën vonë, duke i shtyrë ekspertët e krimit të spekulojnë se autorët e tyre mund të jenë më shumë të interesuar të japin një mesazh se sa të plagosin apo vrasin. “Nuk jam i kënaqur,” thotë Shyqyri Syla, kryeprokuror i Mitrovicës. “Ka pasur sulme që nga viti 2014 dhe askush nuk është identifikuar. Kanë kaluar katër vjet dhe sa më shumë kohë kalon, aq më e vështirë bëhet gjetja e fajtorëve”, thotë ai.

Të pyetur mbi bombat në makina dhe incidentet e tjera para vitit 2014, Departamenti për Krime të Rënda në Zyrën e Prokurorisë së Mitrovicës tha se policia pati hapur vetëm pesë hetime mbi çështje të tilla mes dhjetorit të vitit 2000 dhe dhjetorit të vitit 2013. (Që të gjitha mbeten çështje të pazgjidhura.) Edhe pse ka prova se vetë udhëheqësit e Listës Serbe po sulmojnë me granata apo bomba, kritikët e akuzojnë këtë parti për krijimin e një klime frike dhe nxitjen e dhunës.

Ata gjithashtu thonë se Partia Progresiste Serbe (SNS) në Beograd është e lumtur me ndezjen e mosmarrëveshjeve në veriun e Kosovës. “Unë nuk e di se si ta quash ndryshe këtë veçse një ‘krim i sponsorizuar nga shteti,” thotë Bojan Elek, një ekspert në Qendrën e Beogradit për Sigurinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë