Analize

Zgjedhjet në Greqi, fundi i “aventurës” së Alexis Tsipras?

Me fillimin e zgjedhjeve Greqi, shumë eksperët shprehen të bindur se ndryshime të mëdha priten në vendin fqinj, duke përfshirë edhe faktin se Alekss Tsipras nuk do të jetë më kryeministër.

Sondazhet tregojnë se opozita kryeson dukshem ndaj Syrizas së kryeministrit aktual dhe pritet të fitojë një shumicë absolute në parlamentin 300 vendësh. Partia konservatore e Demokracisë së Re është gati të marrë pushtetin në zgjedhjet e përgjithshme, pas gati pesë vjetësh.

Në një tubim madhështor të enjten, Kyriakos Mitsotakis, djali i një ish-kryeministri, u premtoi qindra përkrahësve në kryeqytetin grek, prosperitet pas një krize financiare dhjetëvjeçare.


"Ngrohtësia e pritjes suaj është një shenjë se nesër Greqia do të ecë me kokën lart dhe se po përvesh gjithashtu mëngët për të ndërtuar një të ardhme të re", tha 51-vjeçari.
Zgjedhjet e së dielës vijnë tre muaj para përfundimit të mandatit të Kryeministrit Alexis Tsipras, i cili shpali zgjedhjet e parakohshme disa orë pasi Demokracia e Re e tejkaloi partinë e tij në zgjedhjet europiane.

Aleksis Tspiras

Syriza erdhi në pushtet në vitin 2015, duke zëvendësuar një qeveri të udhëhequr nga Demokracia e Re, mes zemërimit qytetar mbi masat shtrënguese të vendosura nga kreditorët europianë.

Vendi fqinj pësoi më të keqën në recesionet e eurozonës pas krizës globale financiare të vitit 2008. Qeveritë e njëpasnjëshme në Greqi ulën shpenzimet publike për të balancuar buxhetin, duke zvogëluar ekonominë e vendit me një të katërtën.
Më shumë se një milion qytetarë humbën vendet e punës, duke zhytur shumë grekë në varfëri.

Pavarësisht premtimeve për t'i dhënë fund masave shtrënguese, qeveria e Syriza i ka zhgënjyer mbështetësit duke injoruar rezultatet e një referendumi mbi paketat shtrënguese të Europës, duke nënshkruar një marrëveshje të tretë shpëtimi dhe duke zbatuar masat e ashpra fiskale të imponuara nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Greqia doli nga programi i shpëtimit në gusht të vitit të kaluar dhe ekonomia e saj po fillon të rimarrë veten dhe parashikohet të rritet me dy për qind për tre vitet e ardhshme. Por kjo nuk ka arritur të qetësojë zemërimin e votuesve ose të ndalojë largimin e deri 100,000 të rinjve nga vendi çdo vit.

Taksat
Mitsotakis e ka përqendruar fushatën tek ulja e taksave, reformimi i burokracisë së Greqisë dhe lehtësimi i kredive bankare për bizneset. Sipas tij, këto masa mund të dyfishojnë rritjen deri në katër për qind dhe të krijojnë 700,000 vende pune gjatë mandatit të tij. Në këmbim, ai u ka kërkuar bizneseve të riatdhesojnë dhe investojnë rreth 10 miliardë euro (11.23 miliardë dollarë) të mbajtura në llogaritë bankare jashtë shtetit.

"Ulja e tatimit sigurisht do të na ndihmojë shumë", tha Alexandros Kalogritsas, një i ri që zotëron një servis makinash në Athinë. °Kriza më ka kushtuar 40 për qind të biznesit. Kur taksa e biznesit është 29 përqind, ulja e saj me nëntë përqind është një lehtësim i madh për ne. Kjo mund të shndërrohet në fitime më të mira për ne dhe çmime më të mira për konsumatorët" tha ai.

Kyriakos Mitsotakis

Uljet e taksave të propozuara nga Mitsotakis përfshijnë uljen e kontributeve të sigurimeve shoqërore me një të katërtën dhe përgjysmimin e tatimit mbi të ardhurat e fermerëve. Industria e ndërtimit, e cila u dobësua gjatë viteve 2010-2014, gjithashtu do të lirohet nga taksat e shitjes për tre vjet.

"Njerëzit po bëhen më të hapur ndaj idesë së taksave më të ulta edhe nëse kjo do të thotë më pak mbrojtje sociale dhe veçanërisht nëse taksat më të ulëta ndihmojnë në rritjen e më shumë vendeve të punës", tha Yiannis Palaiologos, një analist i njohur grek.

Demokracia e Re gjithashtu ka përdorur pakënaqësinë e publikut për marrëveshje e Prespës, të nënshkruar vitin e kaluar me Maqedoninë e Veriut.

Shumë ministra dhe politikanë grekë dhanë dorëheqjen duke deklaruar se nuk do ta njihnin republikën ish Jugosllave me një emër që përfshinte termin Maqedoni. Ata u zemëruan nga njohja e shtetësisë dhe gjuhës maqedonase.

Syriza nuk e vendosi miratimin e marrëveshjes në një referendum, duke e kaluar atë me një votim parlamentar.

"Njohja e një etnie maqedonase dhe gjuha maqedonase përbëjnë një gabim të përmasave të mëdha dhe një tërheqje të thellë kombëtare në lidhje me atë që kishin negociuar qeveritë e mëparshme ", tha Mitsotakis në Parlamentin Europian në mars. Partia e tij ka sugjeruar se do të bllokojë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shkupin.
Popullariteti i Syrizas pësoi gjithashtu rënie pas reagimit të qeverisë ndaj zjarrit që vrau më shumë se 100 persona në një vendpushimin bregdetar në lindje të Athinës.

Gjysmë milion vende pune

Të premten, Tsipras bëri një apel të fundit ndaj votuesve. "Ne erdhëm për të bashkuar të gjithë grekët. Pa këtë unitet ne nuk do të dilnim nga masat shtrënguese", tha Tsipras para një turme me mijëra njerëz në sheshin kryesor të Athinës në Syntagma. "Dhe tani njerëzit që e hodhën Greqinë në errësirë kërkojnë hakmarrje jo nga një parti politike, por nga një komb i tërë", tha ai duke iu referuar Demokracisë së Re dhe Pasokut që qeverisën vendin para se Syriza të merrte pushtetin.

Tsipras ka premtuar të zvogëlojë taksat dhe të krijojë vende pune. Në prag të zgjedhjeve evropiane, ajo filloi të anulonte disa nga politikat më të papëlqyeshme të kursimit. Ai ngriti pagën minimale dhe uli taksat e shitjes në dyqane dhe restorante. Në maj, gjithashtu ai ofroi një bonus për 2.5 milionë pensionistë.

Por pensionistët si Andreas Yiannoukakis mbetën të pakënaqur. Pasi ka punuar për 49 vjet, ai duhet të mbajë me pensionin e tij gruan dhe djalin e papunë.
"Ky njeri është dënuar," thotë ai për djalin e tij 35-vjeçar, i cili flet tre gjuhë të huaja dhe ka një diploma për Shkenca Kompjuterike. "Unë e shikoj dhe qaj, pyes veten: 'Çfarë kam bërë, pse kam bërë një fëmijë, ku është e ardhmja e tij?' … Ai nuk mund të martohet. Si do të marrë me qira një shtëpi? ", shprehet ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë