Politike

Zgjedhjet, Meta: 800 mijë qytetarë pa karta identiteti, të zgjatet vlefshmëria

Presidenti Ilir Meta i kërkon kreut të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, kartave të identiteti dhe pasaportave. Me një letër drejtuar, Meta  kërkon që shtyrja e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit deri në 30 prill 2021, është një zgjidhje e pranueshme, një masë proporcionale dhe e domosdoshme në rrethanat aktuale, që duhet të vlerësohet e ndërmerret pa vonesë, në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të aksesueshëm nga çdo qytetar me të drejtë vote.

“Janë rreth 800 mijë qytetarë që u kanë skaduar kartat, sa gjysma e pjesëmarrëseve në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës”, thotë Meta.

“Sipas asaj që bëhet prezente në këtë shqetësim edhe të shoqërisë civile dhe të opozitës, një numër i madh qytetarësh rrezikojnë të mos marrin dot pjesë në zgjedhje për shkak të skadimit të afatit të përdorimit/vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, përpara apo deri në datën 25 prill 2021”, u shkruan Meta.

Duke marrë për bazë situatën e rëndë epidemologjike të shkaktuar nga infeksioni Covid-19 dhe shmangien për aq sa është e mundur, të grumbullimeve publike të shtetasve për marrjen e shërbimit në sportelet përkatëse për aplikim dhe tërheqje të pasaportës dhe kartës së identitetit, Meta kërkon që 52 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, të shtyhet afati i dokumenteve.

“Kjo masë do t`i shërbejë si realizimit të së drejtës së qytetarëve në zgjedhje, ashtu dhe ruajtjes së integritetit të vet procesit zgjedhor. Ndërkohë që, theksoj se Ministria e Brendshme duhet të bëjë më shumë lidhur me ndërgjegjësimin publik të shtetesave për të aplikuar pranë sporteleve përkatëse për të rifreskuar dokumentat e tyre të identifikimit dhe nga ana tjetër të marrë masa organizative që çdo kërkesë në rritje e shtetasve për aplikim në sportele, të jetë e përballueshme dhe të mos sjellë grumbullime të qytetarëve me rrisk përhapjen e infeksionit Covid-19”, shkruan Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë