Politike

Zgjedhjet, mandatet në këshillat dhe rivaliteti mes aleatëve të PS-së

KQZ e shpalli rezultatin final të votave dhe mandateve në proporcional për zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Të dhënat reflektojnë vetëm partitë dhe kandidatët që morën pjesë në zgjedhje, pra pa praninë e opozitës, e cila ishte e përfaqësuar në zgjedhjet e mëparshme lokale 2015 dhe parlamentare 2017. Referuar të dhënave të vitit 2019 dhe krahasuar ato me rezultatet e zgjedhjeve 2015 dalin të dhëna interesante, të cilat reflektojnë probleme të tjera thelbësore sesi kryhen votimet dhe fushatat në zgjedhjet lokale në Shqipëri. Siç rezulton nga KQZ, e vetmja parti pjesë e koalicionit qeverisës më 30 qershor, e cila ka marrë më pak mandate për këshilltarë më 2019 në raport me 2015 është G99, e cila ka fituar 13 mandate nga 14 më 2015. Partitë e tjera në koalicion kanë arritur “sukses” historik, përfshirë Partinë Socialiste. PS ka 742 këshilltarë lokalë më shumë sesa kishte më 2015, një rritje prej 288% në zgjedhjet që i organizoi vetë dhe ku nuk pati parti rivale.

Megjithatë gjetjet më interesante të tabelës krahasuese janë rezultatet e suksesshme të disa partive, sidomos disa partive të vogla, ku kryeson Partia Socialdemokrate e drejtuar de juro nga E.Bejtjaj dhe de facto nga deputeti Tom Doshi, me 1350% më shumë mandate për këshilltarë më 2019 në krahasim me 2015. Konkretisht PSD ka fituar 12 këshilltarë në bashkinë Vau i Dejës, 9 këshilltarë në bashkinë Shkodër, 6 këshilltarë në Lezhë, 4 këshilltarë në Kukës e Gjirokastër, nga 3 këshilltarë në Dibër, Mirditë, Pukë, Pustec, Selenicë, etj. Në total PSD ka fituar 26 këshilltarë vetëm në qarkun Shkodër, zonë ku është zgjedhur deputet më 2019 në emër të PSD edhe z.Doshi. Për statistikë duhet thënë se ai ka qenë deputet i PS në Shkodër në disa mandate, por për shkak të konflikteve të krijuara gjatë legjislaturës së kaluar dhe një penalizmi politik nga ana e qeverisë së SHBA, PS vendosi largimin e tij nga grupi parlamentar. Në zgjedhjet 2019 ai konkurroi në siglën e PSD, parti aleate me PS, e drejtuar prej vitit 1991-2019 nga Skender Gjinishi, i zgjedhur përpara fillimit të fushatës elektorale si kryetar i Akademisë së Shkencave.

Partia e dytë më e suksesshme në raport krahasues rezulton Partia Kristian Demokrate e drejtuar aktualisht nga avokati i njohur Dhimiter Muslia, por e përfaqësuar në legjislaturën e kaluar parlamentare nga deputetët Arben Frroku e më pas në vend të tij Mirela Ferracaku. Kjo parti ka rritje më 2019 rreth 750% më të lartë sesa më 2015, ku mandatet kryesore janë fituar sidomos në bashkitë Pukë (4) dhe Fushë Arrëz (4), zona ku kjo parti pati fituar mandatin e vetëm parlamentar më 2015. Më 30 qershor 2019 PKD fitoi 29,32% të votave në Pukë, duke dalë parti e parë politike në proporcional, e ndjekur nga PS me 27.66% të votave, kurse në bashkinë Fushë Arrëz doli parti e dytë politike me 26,19% të votave pas PS me 32,27% të votave.

Partitë e treta më të suksesshme më 2019 janë Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane dhe Partia e Reformave Demokratike, dy parti që drejtohen përkatësisht nga dy emra pa njohje të gjerë publike, – Valentino Mustaka dhe Krenar Rryçi, i pari nga komuniteti arumuno-vllah dhe i dyti një prej deputetëve të listës proporcionale të PD që pranoi mandatin dhe është aktualisht në parlament. ABDE ka fituar mandate në bashki Mat, Tropojë, Durrës, Përmet, Këlcyrë, Lezhë e Divjakë, zona disa prej të cilave nuk kanë komunitet të tillë pakicash të njohura, ndërkohë që PRDSH ka fituar mandate në Elbasan, Mat, Peqin, Tropojë, etj, por jo në Krujë prej nga vjen deputeti aktual drejtues i saj.

Partia e Gjelbër e drejtuar nga Edlir Petanaj ka gjithashtu rritje të ndjeshme, ndërkohë që nga partitë tradicionale të tranzicionit ka arritur sukses në përfaqësimin e ri lokal, Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Paskal Milo, emër i njohur i politikës dhe jetës publike. PDS fitoi 53 mandate më shumë sesa më sesa më 2015, pavarësisht se gjatë 2019, ishte e vetmja parti në koalicionin e majtë që mbështeti dekretin e Presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve dhe mbajti qëndrim kritik ndaj qeverisë dhe mazhorancës. Po ashtu, PUK, parti e drejtuar nga avokati Idajet Beqiri shënoi sukses në përfaqësimin lokal me 18 mandate këshilltarësh më shumë më 2019 sesa më 2015. PUK u bë headline në media pasi fillimisht kërkoi çregjistrimin nga procesi zgjedhor dhe më pas u përdor si rast gjykimi në vendimin e Kolegjit Zgjedhor mbi “legjitimitetin” e datës 30 qershor.

Tabela ilustron edhe rezultatet e suksesshme të partive të tjera. Shpjegimi mbetet i njëjtë për shumicën e rasteve, partive dhe risive të 30 qershorit. Në tërësi partitë jashtë koalicionit qeveritar, pra partitë pa numërues, vëzhgues e komisionerë, kanë shënuar rënie të dukshme më 2019 në raport me 2015. Në titull është përdorur fjala “suksesshme” në thonjëza, për shkak se kemi të bëjmë më shumë me rezultate që kanë shpjegime lokale dhe individuale sesa me rezultate që shprehin ideologji politike, sjellje të re elektorale apo përzgjedhje të alternativave konkurruese politike në zgjedhje.

  • Analize e Institutit të Studimeve Politike (ISP)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë