Drejtësia

Zgjedhjet lokale, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme: Janë 73 kallëzime penale, 30 nga subjektet politike dhe 6 të arrestuar

Gazeta Si - Në lidhje me veprat penale në kuadër të zgjedhjeve vendore deri më 18 maj, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme, deklarojnë se janë regjistruar gjithsej 73 kallëzime penale.

Në një njoftim zyrtar, organi i lartë i akuzës, pohon se në institucionin e saj, kanë mbërritur 31 kallëzime penale, ku 9 prej tyre janë nga subjektet politike.

Ndërsa Prokuroria e Posaçme, shton se janë regjistruar 42 materiale të tilla, ku 21 janë kallëzime nga subjekte politike, 2 kallëzime shtetasi, 11 materiale te referuara nga policia dhe 8 materiale të ardhura nga Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm.

"Nga këto 42 materiale, janë regjistruar 20 procedime, 1 mosfillim, 6 janë dërguar apo ridërguar për kompetencë në Prokuroritë e Rretheve dhe 15 materiale janë në fazën e verifikimit", - njofton SPAK.

Ndërsa sipas Prokurorisë së Përgjithshme, kallëzimet më së shumti janë bërë në Elbasan, më saktësisht 5 prej tyre.

Në Vlorë e Berat ka nga 4 kallëzime; në Durrës, Kukës e Gjirokastër ka nga 3 kallëzime; në Fier, Dibër dhe Tiranë nga 2 kallëzime ndërsa në Korçë, Shkodër dhe Sarandë nga 1 kallëzim.

Prokuroria e Përgjithshme thotë se 9 kallëzime janë paraqitur nga subjektet politike, ndërsa 22 nga institucionet dhe nga referimet nga Policia Gjyqësore. Gjithsej në pranga në lidhje me këto raste janë vënë 6 persona.

“Prej të cilëve 2 në Sarandë, 2 në Tiranë, 2 në Vlorë”, thuhet në njoftim të prokurorisë.

“Është vendosur mosfillim i hetimeve për 3 kallëzime penale, prej të cilave 2 mosfillime nga Prokuroria Dibër dhe 1 mosfillim nga Prokuroria Gjirokastër. Kallëzimet e tjera janë në fazë verifikimi. I është atribuar vepra penale 25 personave”, thuhet nga prokuroria.

Mësohet se drejt SPAK janë kaluar 3 procedime penale për shkak të moskompetencës së hetimit. Bëhet fjalë për 2 raste nga Berati dhe 1 në Vlorë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë