Politike

Zgjedhjet e 6 marsit kushtojnë 180 mln lekë. Celibashi: Vora drejt votimit elektronik. Berisha, vërtetim nga gjykata për partinë

Kë PD do të regjistroje Ilirjan Celibashi në zgjedhjet e pjesshme lokale atë  të Lulzim Bashës apo Komisionin e Rithemelimit të Sali Berishës?  Kryekomisionieri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi përmes një konference për shtyp ka deklaruar se partitë politike që kërkojnë të regjistrohen si subjekt, u nevojitet dokument nga gjykata e Tiranës. Megjithatë, ai nënvizoi se deri ne ato momente nuk kishte ardhur asnjë kërkesë si nga PD-ja apo Komisioni i Rithemelimit.

““Partia politike që kërkon të regjistrohet si subjekt zgjedhor, duhet të paraqesë disa dokumente, dhe një vendim nga Gjykata e Tiranës për partinë politike, emrin, organet drejtuese, organet kompetente për marrëdhëniet me të tretët. Nuk është çështje e KQZ-së, por e përcaktuar mirë nga ligji. Në momentin kur do fillojë regjistrimi i partive politike, do të merrni dijeni për partitë që regjistrohen dhe përfaqësuesit e tyre. Qoftë në raport me KQZ-së. Sikurse për çdo gjë tjetër, si Komisioner Shtetëror, dijenia merr pasi merren vendimet përkatëse” – tha Celibashi.

Celibashi dha disa informacione lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve lokale në 6 bashkitë e vendit, Durrës, Shkodër, Lushnjë, Rrogozhinë, Dibër dhe Vorë.

Ai tha se janë 13 KZAZ dhe 940 qendra votimi ku qytetarët do të votojnë ndërsa po punohet për votimin elektronik në Vorë.

"Kemi bërë një vlerësim paraprak të kostove, por jemi akoma duke punuar, në fund të ditës së sotme do e përfundojmë. Janë rreth 180 mln lekë kosto e zgjedhjeve. Po punojmë që të aplikohet identifikimi elektronik i zgjedhësve. Në konsultim me partitë do vendosim në lidhje me aplikimin e votimit elektronik në Vorë. Qëllimi ynë është që ta aplikojmë sistemin e votimit elektronik edhe në zgjedhjet e bashkisë Vorë. Por do ta konsultojmë me partitë politike, por nuk shoh ndonjë pengesë për ta bërë. Sot apo maksimumi nesër para dreke do kalojmë aktet me përcaktimin e afateve për regjistrimin e subjekteve zgjedhore. Në ligj janë dy afate të përcaktuara, 25 janari që lidhet me hartimin e listës së zgjedhësve nga Gjendja civile dhe 27 janari që lidhet me miratimin dhe shpalljen e tyre nga ata që po kryejnë detyrën e kryetarëve të bashkive", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë