Politike

Zgjedhjet e 2019-s bëjnë lëmsh edhe shoqatën e Voltana Ademit

Prej vitit 2009, Shqipëria ka dy shoqata të bashkive, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë dhe Shoqata për Autonomi Vendore. Në shoqatën e parë, deri para zgjedhjeve të 2019-s, mblidheshin 14 kryebashkiakët dhe anëtarët e këshillave bashkiake të drejtuar nga opozita. Por, pas zgjedhjeve të 2019-s, e vetmja anëtare “de facto” e kësaj shoqate është kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

Përmes kësaj shoqate, Ademi dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese padinë për rrëzimin e zgjedhjeve vendore të dy viteve më parë, padi për të cilën Kushtetuesja ka caktuar për vendimmarrje datën 23 qershor.

Kryebashkiakja e Shkodrës akuzon se ka përpjekje për t’i marrë këtë shoqatë me qëllim tërheqjen e padisë së dorëzuar prej saj në Gjykatën Kushtetuese për kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të qershorit 2019.

Ademi i referohet një kërkese të bërë nga kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu për zhvillimin e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj shoqate. Mbledhja është thirrur për paraditen e së martës, ndërsa kryebashkiakja e Shkodrës thotë se ajo është e paligjshme, pasi 14 bashkitë anëtare të SHBSH para zgjedhjeve të 2019-s sot nuk janë më anëtare të kësaj shoqate, por të Shoqatës për Autonomi Vendore, të drejtuar nga Erion Veliaj.

Kryebashkiakja e Shkodrës këmbëngul se gjithçka bëhet për të tërhequr padinë e ngritur në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse vendimi përfundimtar për këtë pjesë i takon Gjykatës Kushtetuese, që në rast se vlerëson se çështja ka një rëndësi të madhe për publikun mund ta refuzojë kërkesën për tërheqje të saj.

“Ky veprim është në kundërshtim me statutin e SHBSH, pasi bashkitë kërkuese nuk janë anëtare të SHBSH. Ne kemi dyshime serioze se ky takim online, ilegal, përmes platformës Zoom ka për qëllim të kapë kontrollin e përfaqësimit ligjor të SHBSH. Kjo do t’i mundësojë Kryetarit të ri (një Kryetar Socialist) të tërheqë ankesën e paraqitur nga SHBSH në Gjykatën Kushtetuese, kërkesë për vlerësimin e legjitimitetit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Gjykata e ka vlerësuar kërkesën e SHBSH si të ligjshme dhe ne presim shqyrtimin e çeshtjes në një seancë plenare”, thotë Ademi.

Vetë statuti i shoqatës nuk përcakton nëse pjesë e saj mund të jenë edhe bashkitë e majta. Në nenin 1 të tij thuhet se: “Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është një bashkim vullnetar, i lirë dhe i pavarur i bashkive të Republikës së Shqipërisë. Ajo është një organizatë jofitimprurëse, e pavarur, joqeveritare e formës Shoqatë”.

Statuti përcakton se Asambleja e Përgjithshme është organi më i lartë vendimmarrës i shoqatës, që thirret një herë në vit, kur e kërkon një e pesta e anëtarëve të shoqatës. Por kush janë anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj shoqate?

Në statut thuhet se Asambleja përbëhet nga kryetarët e bashkive dhe anëtarët e bashkive anëtare të shoqatës. Si kryetarët, ashtu edhe anëtarët e këshillave bashkiake kanë të drejtë vote të barabartë në këtë Asamble.

Një tjetër organ drejtues në statut përcaktohet Komiteti, që veçse përfaqëson shoqatën ka tagër edhe të thërrasë mbledhjen e Asamblesë. Komiteti përbëhet nga 15 anëtarë, ku 12 prej të cilëve janë kryetarë bashkie dhe tre janë këshilltarë që propozohen nga Asambleja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë