Politike

Zgjedhja e kryeprokurorit, ISP: Pa rregullore e seancë dëgjimore

Zgjedhja e prokurorit të ri të Përgjithshëm, Olsian Çela nuk është kryer sipas procedurave parlamentare, të parashikuara nga Rregullorja. Instituti i Studimeve Politike edhe pse e vlerëson si pozitive zgjedhjen e kryeprokurorit të ri vëren tre probleme në lidhje me procedurën e ndjekur nga Parlamenti për t’u votuar.
Çështja e parë që ngre Instituti është fakti se nuk pati ndonjë seancë dëgjimore me 3 kandidatët Olsian Çela, Arta Marku dhe Fatjona Memçaj në komisionin parlamentar të Ligjeve. “Problemi parë lidhet me praktikën e ndjekur nga Kuvendi në zbatim të nenit 111 të Rregullores, “Zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj”. Në rastin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe kandidatëve të tjerë të zgjedhur në institucione të përafërta Komisioni i Çështjeve Ligjore zhvilloi seancë dëgjimore publike me të gjithë kandidatët në Kuvend, praktikë që është aplikuar në tërësi me kandidatët për organet kushtetuese”, thuhet në reagimin e ISP-së.
Në rastin aktual të zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm nuk pati seancë dëgjimore dhe as ndonjë raport në seancë plenare mbi përputhshmërinë e praktikës ligjore sikurse e përcakton Rregullorja dhe sikurse ka qenë e është praktikë parlamentare. Në funksion të transparencës. Instituti thekson se Kuvendi duhej të kishte bërë publike argumentet e aplikimit të praktikës së re për t’i dhënë procesit më shumë integritet dhe besueshmëri.

Kryeprokurori i ri, Çela duke u betuar në Parlament. Gazeta Si, 6 dhjetor 2019

Por problem tjetër është dhe mënyra e votimit e veçuar e kandidatëve për kryeprokuror. Kjo praktikë cilësohet se është korrekte me Rregulloren e Kuvendit, por krijon një situatë paradoksale: në votimin e parë kandidati Çela fitoi 101 vota dhe për pasojë u zgjodh për Prokuror të Përgjithshëm. “Çfarë do të ndodhte nëse edhe në dy votimet e tjera të kandidatëve rivalë të kishte votë të cilësuar mbi 100 pro? A është e mundur ky skenar? Në votimin për kandidaten Arta Marku votuan pro 11 deputetë, në votimin për kandidaten Fatjona Memçaj votuan pro 8 deputetë, pra në total 19 deputetë. Në votimin për kandidatin Çela ishin kundër ose atestues vetëm 12 deputetë, pra edhe matematikisht rezulton se së paku 7 deputetë kanë votuar më shumë se një Prokuror të Përgjithshëm”, shprehet ISP.
Vetë votimi tregoi se votat pro për Prokuror të Përgjithshëm janë 120 nga 113 deputetë të pranishëm, pra së paku 19 deputetë kanë votuar për më shumë se një kandidat për prokuror të përgjithshëm! Në të kaluarën ka pasur raste kur Kuvendit pas zgjedhjes së kandidatit të parë nuk ka votuar kandidatët e tjerë duke e konsideruar të panevojshme, siç ka pasur raste të votimit konkurrues me listë kandidatësh ku fitues shpallet individi më me shumë vota apo raste të votimit me emra të ndarë, siç u praktikua në seancën e 5 dhjetorit. ISP-ja shprehet se në funksion të transparencës dhe votës së përgjegjshme të deputetëve do të kishte qenë shumë më produktive që praktikat të unifikohen për çdo rast dhe për çdo kandidat që zgjidhet në Kuvend.

Tabela e votimit të kandidatëve për kryeprokuror në votimin e 5 dhjetorit. Gazeta Si, 6 dhjetor 2019

Si problem të tretë ISP-ja rendit edhe faktin se votat në votimin e tretë për kandidatët Memçaj rezultuan 114 deputetë, ndërsa për dy kandidatët e tjerë ishin 113 gjithsej, pra një më shumë. Konkretisht në votimin e kandidates së, siç u pasqyrua edhe në tabelën finale, pati 8 vota pro, 16 kundër, 87 abstenime dhe 3 deputetë që nuk morën pjesë në votim, në total 114 deputetë nga 113 prezent. “Në raste të tilla do të duhej që sekretaria teknike dhe vetë Kuvendi të ishte më transparent në të dhënat dhe verifikimin e tyre për të treguar nëse ka deputetë që i janë shtuar votimit të tretë apo nëse kemi të bëjmë me problem teknik apo me votim të një deputeti për një deputet tjetër që nuk është prezent. Sipas Rregullores, kur ka devijime të tilla e gjithë praktika e votimit vihet në diskutim”, thekson ISP-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë