Më 31 dhjetor të këtij viti përfundon afati i mbrojtjes së posaçme shtetërore për investimet e huaja, që kategorizohen sipas ligjit të miratuar në vitin 2015, si investime strategjike.
Por, qeveria ka vendosur që të ndërhyjë dhe të zgjasë me një tjetër vit afatin e kësaj mbrojtjeje, duke ndryshuar dispozitën kalimtare të parashikuar në nenin 11/1. Ndryshimi është vetëm afati kohor në ligjin për investimet e huaja.
Sipas këtij ligji, shteti shqiptar merr përsipër të përfaqësojë investitorët e huaj në të gjitha betejat gjyqësore që mund t’i dalin në Shqipëri për çështje pronësie apo apo të ardhura publike.
Mes parashikimeve është edhe pika 2 e nenit 8/d që në rast se një palë e tretë ka fituar gjyqin ndaj një investitori të huaj mbi një pasuri të paluajtshme, atëherë Qeveria mund të vendosë që të ndërhyjë përmes shpronësimit për interes publik të palëve të treta dhe t’ia kalojë sërish pasurinë investitorit të huaj.
Zgjatja e afatit është miratuar në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit të Ministrave dhe ndryshimet pritet të kalojnë në Kuvend me shumicë të thjeshtë.
Kjo pjesë e ligjit është vendosur që në vitin 2010 si nevojë e pasigurisë mbi të drejtën e pronës me të cilën përballen investitorët e huaj në Shqipëri. Megjithëse në fuqi prej 8 vitesh tashmë, ekspertët thonë se ligji ka ndikuar pak ose aspak në tërheqjen e investimeve të huaja të mëdha në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.