Muzike

Zëri i Freddie Mercury dëgjohet sërish

Nga Gazeta Si - Zëri i Freddie Mercury-t dëgjohet sërish. Sapo është publikuar një këngë nga Queen me titull “Face It Alone” dhe video e këngës përkatëse. Pas krijimit të interesit të jashtëzakonshëm gjatë verës, kur anëtarët e grupit Brian May dhe Roger Taylor zbuluan për herë të parë lajmin e një kënge të gjetur të ‘Queen’ me Freddie Mercury, ‘Face It Alone’ është publikuar në të gjithë botën më 13 tetor.

Roger Taylor e quajti atë si “një xhevahir i vogël i Freddie”, ndërsa Brian May e quajti atë “të bukur dhe emocionuese”. Kënga përfaqëson këngën e parë të re me Freddie Mercury të publikuar në 8 vitet e fundit. Në fakt, në albumin “Queen Forever” të vitit 2014, grupi përfshiu tri këngë të papublikuara të kënduara nga Mercury: ‘Let Me in Your Heart Again’, ‘Love Kills’ dhe ‘There Must Be More to Life Than This’.

“Face It Alone” u regjistrua fillimisht gjatë sesioneve historike të vitit 1988 për albumin “The Miracle”, një periudhë pjellore për grupin që punoi në rreth 30 këngë, shumë prej të cilave nuk janë publikuar kurrë. Kënga u rizbulua kur ekipet e produksionit dhe arkivit të grupit u mblodhën për të punuar në përpunimin e “The Miracle”. “Ne e harruam pak këtë këngë”, pranon Roger Taylor.

“Por ja ku është, kjo perlë e vogël”, vazhdon Taylor. “Është e mrekullueshme, një gjetje e vërtetë. Është një pjesë shumë pasionante”. Duke folur për këngën e gjetur, Brian May shton: “Jam i lumtur që grupi ynë mundi ta gjente këtë pjesë. Pas gjithë këtyre viteve, është mirë të dëgjojmë ne të katër... po, është edhe Deacon... duke punuar në studio për një këngë të mrekullueshme që nuk ka përfunduar deri tani!”

Kënga e re nis një seri publikimesh të reja nën titullin “The Miracle Collector's Edition”, që përfshin një zgjerim të albumit “The Miracle”, i lançuar në 1989.

Ndër përmbajtjet është edhe “The Miracle Sessions”: një disk prej më shumë se një ore me regjistrime të papublikuara, duke përfshirë gjashtë këngë që nuk janë publikuar më parë. Ju mund ta dëgjoni grupin në studio, në Londër dhe Montreux: një dritare në procesin krijues të “Queen”, momentet e tyre të gëzimit që e gjetën veten duke punuar përsëri së bashku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë