Biznes

Zëra për një izolim pjesor: Biznesi po dridhet nga frika

Biznesi po i frikësohet deri në palcë një karantine të dytë në vend, po aq sa edhe masave të pjesëshme kufizuese siç po ndodhin në shumë shtete europiane.

Ata thonë se plagët e karantinës së pranverës janë ende të hapura, në pamundësi për t’u rekuperuar, “si mund të pësojmë një katastrofë tjetër?”.

Katastrofë e konsiderojnë ata një mbyllje të mundshme të dytë.

Madje Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve zbulon për gazetën “Si” se burime të tij thonë me siguri se kufizimet janë një hap pas dere: ndoshta javën e ardhshme.

Biznese të falimentuara tek Myslym Shyri

“Janë dy skenarë para mbylljes totale; një e ngjashme me Spanjën kufizim nga ora 22:00 – 5:00 ose si ajo e Italisë që aktivitetet që do të lejohen të operojnë të jenë funksionalë deri në 18:00”- zbulon Jahaj për gazetën “Si”. Mandej thotë ai, na pret izolimi total.

Megjithatë ky mbetet një informacion i pakonfirmuar zyrtarisht megjithëse autoritetet kur këshillojnë me insitim për mbajtjen e maskave dhe zbatimin rigoroz të  protokollove kanë paralajmëruar shpesh këto kohët e fundit  se  “ në të kundërt na pret izolimi që është  pashmangshëm”.

Bizneset janë të gjithë në sinkron kundër masave kufizuese dhe aq më shumë kundër mbylljes totale për shkak të dëmve financiare që do të pësojnë.  Ka të tjerë që nuk alarmohen. Fasonët nuk i shohin si tragjedi kufizimet, pasi janë të bindur se prodhimi, ashtu si herën e parë, nuk ka për të ndalur asnjëherë. Por fasonët i tremben një karantine  botërore, që do të thotë se do të humbin kontratat me partnerët e huaj veçanërisht me Italinë e Gjermaninë.

Teksa Jahaj thotë se biznesi i ka duart e lidhura dhe nuk ka fuqi të reagojë ndaj vendimmarrjeve të tilla që sipas tij nga qeveria argumentohen me armikun e padukshëm që po dikton masa të tilla në gjithë botën.

Vetëm të dielën pati  299 të infektuar dhe 4 të vdekur. Por Jahaj ende mendon se situata është e amplifikuar dhe shifrat e COVID-19 janë abuzive. “Por ata që e pësojnë, jemi ne dhe jemi të pafuqishëm të veprojmë”- shprehet Jahaj.

 Nikolin Jaka nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë thotë për gazetën “Si” se “çdo biznes, mendon dhe uron që kjo gjë të mos ndodhë në Shqipëri, pasi do të konsiderohej vetvrasje për ekonominë.”

Biznese të falimentuara si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia, foto ilustruese. Gazeta "Si", 26 tetor 2020

Edhe në këto kushte aktuale, shprehet ai, kur jemi nën  kërcënimin e COVID-19, periudha deri në fund të këtij viti konsiderohet tepër e vështirë për biznesin, i cili është duke  punuar fort vetëm për rikuperime të pjesshme.

“Kjo do të ishte me pasoja tepër të rënda, duke shkaktuar mbyllje të bizneseve, rritje të papunësisë dhe në tërësi në shkatërrim të ekuilibrave ekonomikë dhe sociale të vendit.”- shpjegon Jakaj.

Nëse qeveria jashtë vullnetit të saj do të detyrohet të ndërmarrë përsëri masa kufizuese, thotë ai, tani në mënyrë urgjente duhet të ketë gati një paketë financiare masash për përballimin e kësaj situate.

“Por këtë paketë nuk mund ta bëjë në mënyrë të njëanshme, pa u ulur në tryezë dhe të bëjë llogaritë e kësaj pakete, vetëm në konsultim me sipërmarrjen. DHTIT, që në muajin maj i ka kërkuar qeverisë  që të kishte një paketë financiare të tretë. E përfytyroni sa e vështirë do ishte në rast të një karantine tjetër apo kufizime qofshin ato si do të mund të përballohej nga qeveria?”- shprehet Jakaj.

 Lista e masave me kompensime të pagave, sigurimeve shoqërore, pagesat e energjisë elektrike, taksat, detyrimeve tatimore, shlyerja e kësteve të kredive etj, do të konsideroheshin masa emergjente, sipas Jakaj, pa menduar për kohën e rikuperimit, që do të  kërkonin një buxhet ekstra nga qeveria në përballimin e kësaj situate.

“Kjo “ hipotezë” do të konsiderohej një katastrofë për ekonominë e vendit.”- thotë ai.

Një ditë para karantinës në pranverë

Binznesi i voglë as  e  sjell nëpërmend izolimin qoftë edhe pjesor paçka se ideja po sillet rrotull si hije dyshimi.

Madje, Biznesi i vogël është gati të rinisë protestat, pasi i ka dhënë ultimatum qeverisë për plotësim emergjent të disa prej 10 kërkesave të parashtruara që i konsiderojnë si emergjente, të shkaktuara nga karantinimi i pranverës, e jo më të mirëpresë një izolim pa lehtësime e  ndihmë financiare paraprake.

Por bizneset prodhuese duke e parë në kënvështrimin e ngushtë të aktivitetit mendojnë se nuk preken nga masat kufizuese apo edhe një karantinë kombëtare duke marrë parasysh që prodhimi nuk u ndërpre as në karantinën e pranverës.

“Ne kemi nisur të rrisim plotësisht vigjilencën nga vera ku u relaksuam. Vijojmë të zbatojmë me përpikmëri protokollin e kuq. Kjo reflektohet edhe në shifrat e inmfektimeve. Nga mbi 700 ndërmarrje fason në të gjithë vendin, vetëm në 10 prej tyre ka patur probleme. Infektimet në tërësi kanë qenë sporadike. Fasoneritë nuk kanë qenë qendra kolektive infektimi”- shprehet Florian Zekja nga Pro Export Albania.

Ai sheh si problematikë një izolim tjetër global, që për fasonët shqiptarë mendon se do të ishte katastrofë se do të humbnin edhe ato pak kontrata që kanë dhe do ta shtynte më tej rekuperimin në industrinë e modës.

“Moda është aktivitet ekonomik psikologjik. Kush mendon të vishet nëse nuk del, nëse ka frikë nga gjëra të mëdha që ndodhin në botë. Moda nis të rekuperohet një vit pasi ka nisur rekuperimi i industrive të tjera. Kësaj po që i trembemi”- shprehet Zekja.

Kurse Konfindustria kundërshton në mënyrë absolute çdo rikthim të gjëndjes së karantinës për bizneset dhe qytëtarët si masë kundër Covid 19.

Në rast të kundërt, për Konfindustrinë, pasojat do të ishin shkatërrimtare për qëndrueshmërinë makroekonomike, biznesin dhe qytetarët shqiptarë në afatgjatë.

Dyqane të mbyllura gjatë karantinës së pranverës

“Konfindustria vlerëson, se ekonomia shqiptare pësoi një goditje mjaft të ashpër si pasojë e mbylljes kundër pandemisë në 6 mujorin e parë të vitit 2020. Rënia ekonomike parashikohet të tkurret deri në 12.5 % të PBB për vitin financiar në vazhdim. Vetëm në 3 muaj mars-maj 2020 humbjet në ekonomi përllogariten në mbi 2 miliard $. Kategori të gjera të biznesit prodhues dhe të shërbimeve u prekën ashpër nga pasojat e menaxhimit të pandemisë Covid 19. Humbën mbi 70 mijë vende pune, pa llogaritur pjesën jo formale të punësimit. Në një pjesë të madhe të kategorive të bizneseve pjesa e të punësuarve, që qëndruan në punë, pati një ulje reale të pagave deri në 50%. Goditje të rëndë pësuan edhe industritë e prodhimit, që lidhen me eksportet si hidrokarburet, mineralet, fasonët, turizmi, etj.”- sqaron për “Si” Gjergj Buxhuku i Konfidustrisë duke vijuar se “ Buxheti i shtetit ndjeu drejtpërdrejt rënie të fortë të të ardhurave me pothuaj 400 milion & për 3 mujorin e dytë të 2020. Viti i pasuksesshëm në industrinë e turizmit dhe rënia e fortë me pothuaj 60% e të hyrave nga emigracioni e kanë ngadalësuar qartësisht rimëkëmbjen ekonomike.”

Konfindustria parashikon që një mbyllje e dytë do të rrezikonte seriozisht kapjen e mëtejshme kërcënuese të tregjeve vendore nga prodhimet dhe shërbimet e huaja konkurente me pasoja të pallogaritshme në afatgjatë për zhvillimin ekonomik dhe mirëqënien e qytetaëve shqiptarë. 

Pa një karantinë  të dytë, Financat parashikojnë që ekonomia të tkurret në masën 6,1 % këtë vit.

“Ka ardhur momenti që secili të mendojë për vete. Masa e parë që do marrim është heqja e punonjësve nga puna. Nuk kemi çfarë të bëjmë. Është e pamundur të përballojmë kosto ndërkohë që jemi kredhur në një krizë të parekuperueshme. Hapi i parë do të jetë largimi i punonjësve nga puna”-thotë përfaqësuesi i shoqatës së bareve dhe restoranteve Enri Jahaj .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë