Bota

Zelensky largon Shefin e Forcave të Armatosura të Ukrainës Valerii Zaluzhnyi

Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelensky ka vendosur të shkarkojë nga detyra Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi.

Zaluzhnyi qëndroi në këtë post prej vitit 2021, dhe drejtoi Forcat e Armatosura të Ukrainës në kohën më të vështirë të tyre, gjatë dy viteve të pushtimit rus.

Ai shpesh herë është cilësuar si më popullor se vetë Zelensky, ndërsa marrëdhënia mes tyre duket se u ftoh gjatë muajve të fundit, kur kundërofensiva e forcave ukrainase nuk arriti të jepte rezultatet e pritura.

“U takova me gjeneralin Valerii Zaluzhnyi. E falënderova për dy vitet e mbrojtjes së Ukrainës. Ne diskutuam për rinovimin që kërkojnë Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Ne diskutuam gjithashtu se kush mund të jetë pjesë e drejtimit të rinovuar të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Koha për një rinovim të tillë është tani. I propozova gjeneralit Zaluzhnyi të mbetej pjesë e ekipit. Do të fitojmë patjetër! Lavdi Ukrainës”, shkruan Zelensky në një postim në rrjetin social “X”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë