Bota

Zelenski viziton vijën e frontit, mes spekulimeve për fatin e gjeneralit të lartë Zaluzhni

Gazeta Si - Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, ka vizituar trupat ukrainase në vijën e frontit në juglindje të vendit dhe ka shpërndarë medalje, tha zyra e tij të dielën

Vizita e tij u bë në një kohë spekulimesh se shefi i famshëm i ushtrisë ukrainase, Valerij Zaluzhnim mund të shkarkohet nga detyra.

“Kam nderin të jem këtu sot, për t’i mbështetur luftëtarët dhe për t’i shpërblyer ata. Ata përballen me mision të vështirë dhe kritik për ta zmbrapsur armikun dhe për ta mbrojtur Ukrainën”, tha Zelenski në një komunikatë, pasi vizitoi rajonin e Zaporizhjes.

Presidenca ukrainase tha se Zelenski vizitoi pozicionet ushtarake ukrainase në afërsi të fshatit Robotine, i cili ndodhet pothuajse në vijën e frontit.

Pjesa juglindore e Robotines u çlirua në fund të gushtit gjatë kundërofensivës ukrainase kundër forcave ruse.

Zelenski vizitoi frontin e betejës në një kohë pasigurish për fatin e shefit të ushtrisë ukrainase, Zaluzhni.

Sipas agjencisë së lajmeve "Reuters", qeveria ukrainase kishte njoftuar Shtëpinë e Bardhë të premten se po planifikon ta shkarkojë komandantin kryesor të ushtrisë, i cili është udhëheqës i luftës kundër forcave pushtuese ruse.

Dyshimet për shkarkimin e Zaluzhnit, i cili ka pasur mosmarrëveshje me Zelenskin për një sërë çështjesh, pasojnë pas kundërofensivës ukrainase të vitit të kaluar, e cila dështoi ta çlirojë shumicën e territorit të pushtuar nga Rusia. I njohur si “gjenerali i hekurt”, Zaluzhni është tejet i popullarizuar në Ukrainë./REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë