Politike

BE shuplakë Metës: Qendrime të papranueshme

Maja Kocijancic, zëdhënëse e BE-së i është përgjigjur korrespendentes të RTSH-së në Bruksel se deklaratat e përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare dhe partive politike që vënë në dyshim integritetin e bashkësisë diplomatike të Bashkimit Europian në Tiranë për qendrime të shprehura në cilësinë e tyre institucionale janë krejtësisht të papranueshme.

Kocijancic ka thënë se deklaratat dhe veprimet e përfaqësuesve të Bashkimit Europian përfaqësojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e BE-së.
“Ne përsërisim mbështetjen tonë të plotë për punën e shkëlqyer që Ambasadori i BE-së dhe Delegacioni i BE-së po bëjnë për ta sjellë vendin më pranë Bashkimit Europian. Bashkimi Europian, të gjithë përfaqësuesit e tij dhe vendet anëtare po punojnë për t’i mbështetur në mënyrë efektive përpjekjet e Shqipërisë për t’i çuar përpara reformat thelbësore në dobi të qytetarëve shqiptarë.”- është shprehur ajo.

Zëdhënësja e BE-së ka shtuar në përgjigje të saj se “BE beson se respekti dhe bashkëpunimi është i garantuar nga të gjithë aktorët në vend, me qëllim promovimin e partneritetit tonë me Shqipërinë.”

Një ditë më parë burime si nga Ambasada Amerikane, ashtu edhe nga Presidenca deklaruan se të mërkurën, i dërguari i Posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer i kishte telefonuar Ilir Metës. Mbi përmbajtjen se çfarë është diskutuar në këtë bisedë pati pak detaje, por nisur nga reagimi i Presidencës për idenë e adresimit të ngërçit kushtetues për në Venecia mund të hamendësohet se pjesë e kësaj bisede të ketë qenë edhe kjo temë.

“Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit. Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtesi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës. Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law” si çdo vend demokratik. Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë! Rruga e Kavajës të çon në Kavajë! Vetëm rruga e Kushtetutës na çon në Europën e Bashkuar!”, do të deklaronte zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi.

Më pas rreth orës 13:00 vetë Presidenti Meta doli përpara medieve në konferencë duke u shprehur: “Zero surprizë nga vettingu i partisë. Ju e dini që vettingu i partisë u shpall para disa ditësh nga zv.Kryeministri për zotin Muçi. Ai që ditën e parë që hyri ka patur presione politike të drejtpërdrejta për të penguar zonjën Marsida Xhaferllari për të ushtruar detyrën e saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ju e dini që Xhafaj i bëri presione dhe shantazhe publike anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha. Vitore Tusha qëndroi në atë detyrë me sforco për të mbajtur hapur derën e Gjykatës Kushtetuese, të cilën e bllokoi Edi Rama me disa palaço ndërkombëtarë, që kujtojnë se mund të tallen me popullin e Shqipërisë sa herë të duan duke diskredituar vlerat e shteteve të nderuar që ata përfaqësojnë dhe që ne adhurojmë aq shumë”.

As Presideti Meta dhe as zëdhënësi i tij nuk kanë përmendur emra ndërkombëtarësh, por është lënë të nënkuptohet se bëhet fjalë për amabasadorin e BE-së, Luigi Soreça.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë