Bota

“Zbutet” Franca, rikthen ambasadorin në SHBA

Franca ka rënë dakord të kthejë ambasadorin e saj në SHBA pasi presidenti Joe Biden është zotuar të mos e përjashtojë me Parisin nga vendimet e ardhshme globale. Lajmi erdhi pas një telefonatë mes dy udhëheqësve, gjatë të cilës Biden u mundua të qetësonte presidentin francez pasi ai arriti një marrëveshje për shitjen e nëndetëseve me Australinë. Telefonata duket se i dha fund një konflikt pesë-ditor dhe dy liderët ranë dakord të takohen në Europë në fund të tetorit, në samitin e G20-ës.

Javën e kaluar, Franca tërhoqi ambasadorët e saj nga Shtetet e Bashkuara dhe Australia si dhe akuzoi Presidentin Biden se e kishte goditur me “thikë pas shpine” pasi Australia hoqi dorë nga një kontratë me Parisin në fushën e mbrojtjes prej 40 miliardë dollarësh për blerjen e nëndetëseve, duke zgjedhur në vend të saj nëndetëset amerikane.

Në një telefonatë të mërkurën, dy presidentët Macron dhe Biden ranë dakord të fillojnë konsultime të thella për të rindërtuar besimin mes palëve, thuhej në një deklaratë të përbashkët. Dy udhëheqësit pritet të takohen në Evropë në fund të muajit tetor.

"Ata ranë dakord se konsultimet e hapura mes aleatëve për çështje me interes strategjik për Francën dhe partnerët evropianë mund ta ndihmojnë situatën”, thuhej në deklaratë. "Presidenti Biden përcolli angazhimin e tij të vazhdueshëm në këtë drejtim".

Sipas zyrës së presidentit francez, Uashingtoni ishte angazhuar gjithashtu për të rritur mbështetjen për misionet kundër terrorizmit të udhëhequra nga vendet evropiane në rajonin Sahel të Afrikës.

Shtetet e Bashkuara "njohin rëndësinë e një mbrojtjeje më të fortë dhe më të aftë evropiane, që kontribuon pozitivisht në sigurinë transatlantike dhe globale e që plotëson NATO-n", thuhej në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë