Teknologji

Zbulohet teknologjia e komunikimit nëndetëse-avion

Në shekullin që lamë pas dhe në thuajse dy dekadat e mijëvjeçarit të ri, teknologjia ushtarake është zhvilluar me hapa galopantë, duke perfeksionuar më shumë makinerinë vrasëse. Pengesa e fundit që tejkalohet tashmë është komunikimi i drejtpërdrejtë mes nëndetëseve dhe avionëve.

Nëndetëset komunikojnë duke përdorur valët sonare, që udhëtojnë mirë nën ujë, por e kanë të vështirë të shkëputen prej sipërfaqes ujore dhe të udhëtojnë në ajër. Ndërkohë, avionët komunikojnjnë duke përdorur radio-sinjale, që udhëtojnë mirë në ajër, por nuk depërtojnë dot nën sipërfaqen e ujit.

“Përpjekja për të tejkaluar kufirin ajër-ujë me sinjale ka qenë një pengesë e hershme për ne”, thotë Fadel Abid, nga Laboratori Media i Institutit të Teknologjisë së Masaçusetsit.(MIT)

Adib është udhëheqësi i studimit që çoi në zbulimin e metodës që thyen këtë barrierë dhe lejon komunikimin e drejtpërdrejtë mes nëndetëseve dhe avionëve. MIT ka ndërtuar një pajisje që montohet në nëndetëse dhe dërgon drejtpërdrejtë në sipërfaqe, në drejtim 90 gradë sinjale që dalin disa mikrometra në sipërfaqe.

Këtu, këto sinjale kapen nga një radar me frekuencë të lartë që i dëshifron ato më pas në mesazhe. Testimet janë bërë në provëza dhe pishina, por shkencëtarët shprehen me bindje se kjo metodë funksionon në oqean.

Gjithsesi, gjithçka është në fazë testuese. Pengesat janë ende të mëdha. Përmes kësaj metode, sasia e materialeve që mund të përçohen është e kufizuar dhe nëse ka dallgë mbi 16 centimetra nuk funksionon fare.

“Aktualisht mund të funksionojë shumë e kufizuar dhe me kushte atmosferike tejet të qeta në det, por jemi në rrugën e duhur dhe ne po punojmë që kjo metodë të funksionojë në çdo kohë dhe pa kufizime të mëdha”, thotë Adib.

 

Më Shumë