Rend dhe Ligj

Video/ Zbulohet një depo në Tiranë ku modifikoheshin armë zjarri për ngjarje kriminale

Gazeta Si - Një depo për prodhimin dhe modifikimin e armëve të zjarrit dhe silenciatorëve, është zbuluar në një vilë 3-katëshe në Kodër-Mëzez në Tiranë.

Policia thotë se ka arrestuar në flagrancë dy persona, Elvis Bakallin, 30-vjeç banues në Tiranë dhe Dorian Kalon, 45-vjeç.

Banesa në pronësi të Elvis Bakallit, ishte përshtatur si bazë për prodhimin dhe modifikimin e armëve të zjarrit.

Sipas policisë dyshohet se këto armë siguroheshin nga persona me precedentë të theksuar kriminalë dhe shiteshin me qëllim për ngjarje apo atentate të ndryshme.

Aty janë sekuestruar 8 pistoleta, 3 automatikë, silenciatorë të ndryshëm që shërbenin për modifikimin e këtyre armëve.

Në punishte u gjetën torno e freza, të cilat shërbenin për modifikimin e armëve të zjarrit dhe prodhimin e silenciatorëve.

Po ashtu, janë zbuluar sende të tjera prej metali, valixhe me pjesë armësh për modifikim, një sasi parash dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Të gjitha armët dhe sendet e tjera të sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, për të vërtetuar nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

“Nga hetimet dyshohet se këto armë siguroheshin nga persona me të shkuar kriminale dhe shiteshin për kryerjen e veprave kriminale kundër personit”, tha kreu i policisë së Tiranës, Lorenc Panganika.

Si e zbuloi policia punishten e armëve

Sipas informacioneve paraprake, hetuesit kanë mbajtur nën vëzhgim, Dorian Kalon, pasi dyshonin se merrej me aktivitet kriminal.

Pas ndjekjes mësohet se policia ka rënë në gjurmët e punishtes ku modifikoheshin armët në banesën e Elvis Bakallit në Kodër-Mëzez në Tiranë.

Në momentin e ndërhyrjes, në këtë ambient janë gjetur duke punuar shtetasit Ervis Bakalli dhe Dorian Kalo, të cilët u arrestuan në flagrancë.

Të gjitha aksesorët për modifikimin e armëve dhe silenciatorëve ne depon e zbuluar në Kodër-Mëzez, vinin në rrugë ilegale nga jashtë vendit

Emri i Dorian Kalos, ka dalë nga dëshmia e një bashkëpunëtori të drejtësisë, Enver Jamakut, që e ka përmendur pikërisht si një nga personat që ka bazë për modifikimin e armëve të llojeve të ndryshme, duke i riparuar dhe duke i ndërruar pjesët.

Dëshmia e tij specifikonte se armët e prodhuara dhe modifikuara, Dorian Kalo dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale që Jamaku përmend, i shisnin armët me porosi tek grupe të tjera kriminale, që më pas i përdornin në krime kundër jetës.

Enver Jamaku u arrestua pas tentativës së dështuar për të ekzekutuar me shpërthim tritoli në makinë, Gjon Menën në Kamëz, që dyshohet se u porosit nga Gjergj Cukali kundrejt shumës 30 mijë euro, akuza të cilat Cukalli i ka mohuar. Dëshmia e Jamakut çoi disa persona në pranga dhe zbuloi 19 baza armatimi në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë