Media Galeri

Zbulohen dy trupa të vdekur nga vullkani që shfarosi Pompein 2 mijë vite më parë

Pandemia ka ndihmuar arkeologët italianë në qytetin antik të Pompeit që të punojnë të qetë dhe larg shpërqëndrimit të turistëve të shumtë që në kohë normale vizitojnë këtë zonë. E gjatë gërmimeve, të mërkurën më 18 nëntor ata zbuluan trupat e dy burrave të cilët besohet se kanë gjetur vdekjen gjatë shpërthimit të vullkanit Vezuv në vitin 79 para Erës Sonë.

Ministria italiane e Kulturës tha se trupat janë ruajtur në gjendje të mirë. Njëri prej burrave mendohet se ka qenë 30 deri në 40 vjeç në momentin kur Vezuvi shfarosi Pompein, ndërsa tjetri mes 18 dhe 23 vjeç.

Zbulimi është bërë në rrethinat e qytetit antik, aty ku studiuesit mendojnë se ishin të vendosura vilat e romakëve të pasur. Burri që ka qenë 30-40 vjeç dyshohet se ka qenë njëri me status të lartë në shoqërinë e asaj kohe, pasi kishte ende rreth qafës mantelin dallues, ndërsa i riu mendohet se ka qenë skllav i tij, për shkak të deformimit të shtyllës kurrizore, që sugjeron se ai ka kryer punë të rënda.

Trupat u qetën në atë që quhet Civita Giuliana, 700 metra nga qendra e Pompeit në një dhomë nëntokësore. Dhëmbët dhe kockat janë të ruajtura mirë.

Pompei ndodhet 23 kilometra në jug -lindje të Napolit. Në kohën e shpërthimit të Vezuvit mendohet se ky qytet kishte një popullsi prej 13 mijë banorësh, pjesa më e madhe e tyre aristokratë romakë, që e shfrytëzonin këtë qytet për pushime. Zbulimet e para të tij janë gjetur në shekullin e 16-të, ndërsa gërmimet kanë filluar rreth viteve 1750.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë