Zbardhet vendimi i dënimit të ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji me një 1 vit burgim për çështjen e famshme “Babalja”. Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim, por ai nuk do të arrestohet për të bërë burg, pasi është hetuar në gjendje të lirë dhe pas ankimimit që Salianji paralajmëroi ndaj vendimit, do të pritet shihet çfarë do të vendosë Gjykata e Apelit, për të marrë formë të vendimit të prerë. Ndërkohë, Albert Veliu njohur si Babalja u dënua me 3 vite e 8 muaj burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj burg, dënim i cili do të zëvendësohet me 100 orë pune. Sipas vendimit të Gjykatës, biseda mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit është regjistruar në Janarin e vitit të kaluar. Sipas Gjykatës regjistrimi është kryer me një stilolaps, të cilin Veliu më pas ja ka dorëzuar Salianjit.

“Biseda e stimuluar mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit është regjistruar në janar 2018. Biseda është regjistruar në një mjet përgjimi stilolaps të cilin Albert Veliu ja ka dorëzuar Ervin Salianjit. Ndërkohë Fredi Alizoti stimuloi zërin e Agron Geron Xhafës”, thuhet mes të tjerash në vendimin e gjykatës Penale.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se ka pasur komunikime të shpeshta mes Veliut, Alizotit, Salianjit dhe Olldashit, edhe pas Janarit kur u regjistrua biseda.
“Në tetor 2017, Albert Veliu ka marrë takim me Ervin Salianjin. Me 20 tetor 2017 Veliu ka biseduar me Salianjin për 51 sekonda. Ky komunikim përveçse motiveve për audiopërgjimin si lidh të pandehurit me asnjë shkak tjetër. Nuk janë as miq as të afërm. Ervin Salianji realizoi kontaktin e Albert Veliut me gazetarin Jetmir Olldashi. Deklarimet publike te Salianjit nuk dhanë asnjë provë për veprën penale të trafikut të drogës në ngarkim të Agron Xhafës.”

Ndërkohë sipas argumentimit të audiopërgjimit, Gjykata shprehet se ka patur një numër të lartë bisedash mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit dhe këto biseda janë kompromentuese.
“Nga të gjitha provat dhe tabulatet telefonike rezulton se zërin e Agron Xhafës e ka bërë Fredi Alizoti. Kjo veprimtari e kallëzimit të rremë nuk mund të konsiderohet e kryer brenda fushës së ushtrimit te funksionit politik te deputetit apo ushtrimit te lirisë së shprehjes”, thuhet më tej në argumentimin prej 60 faqesh të Gjykatës së Shkallës së Parë.
Pjesë nga vendimi i Gjykatës
Rreth orës 15.00’-15.30’, të datës 24.11.2018, punonjësit e SHISH dhe i pandehuri Albert Veliu kanë arritur në qytetin e Vlorës, ku ky i fundit u ka shpjeguar se, me personat do të takohej tek lokali “2 Palmat”. Mbas rreth gjysëm ore, i pandehuri Albert Veliu ka telefonuar punonjësit e SHISH-it me qëllim për t’u dhënë pajisjen përgjuese dhe në momentin e takimit u ka thënë se kishte takuar një person me emrin Agron, por pa u thënë mbiemrin. Ai gjithashtu u ka thënë se nuk e kishte përfunduar bisedën për trafikimin e narkotikëve pasi kishte lënë një takim ditën e nesërme me një shtetas të quajtur Ermal dhe për të kryer ndonjë regjistrim të mundshëm, punonjësit e SHISH-it i kanë lënë një tjetër mjet përgjimi të kamufluar si “usb”. Ndërkohë që, e kanë porositur se në momentin që do merrte kontakt me Ermalin, t’i njoftonte për vendin dhe orën e takimit.

Në datën 25.11.2017, rreth orës së drekës i pandehuri Albert Veliu ka telefonuar punonjësit e SHISH-it dhe u ka kërkuar të shkonin në Vlorë. Mbasi është takuar me ta në rrugë tek “Lungomare”, ai u ka shpjeguar se ishte takuar me Ermalin, por nuk kishte regjistruar bisedë me interes për çështjen, mbasi kishte patur edhe persona të tjerë në tavolinë. Ai u ka kërkuar dhjetë mijë lekë të reja për të ngrënë një drekë me Ermalin dhe aty të bënte edhe përgjimin e bisedës, por kjo kërkesë është refuzuar nga punonjësit e SHISH-it. Në vijim, i pandehuri Albert Veliu u ka kërkuar që të shkonin tek vendet ku mbahej hashashi apo mjetet, kërkesë që i është plotësuar nga punonjësit e SHISH-it. Komunikimi i të pandehurit Albert Veliu me punonjësit e SHISH ka vazhduar deri në datën 30.11.2017 dhe në përfundim të gjithë procedurës së kryer nuk rezultoi asnjë e dhënë inkriminuese (proceduriale apo informative) për shtetasin Geron (Agron) Xhafaj.
Në rrethanat kur nuk po mundte që të realizonte ndonjë regjistrim kompromentues me shtetasin Geron (Agron) Xhafaj, i pandehuri Albert Veliu ka komunikuar me të pandehurin Fredi Alizoti me të cilin kishte një njohje të vjetër dhe shumë miqësore. Në takimin midis tyre, i pandehuri Albert Veliu i ka kërkuar ndihmë të pandehurit Fredi Alizoti për të realizuar një regjistrim bisede midis tyre, ku ky i fundit do të luante rolin e shtetasit Geron (Agron) Xhafaj, mbasi do të shpërbleheshin në shumën prej 200 mijë eurosh nga i pandehuri Ervin Salianji.Pervec perfitimit material , i pandehuri Albert Veliu dhe familja e tij do te perfitonin edhe përfitimin e azilit politik në ndonje shtet.
Fillimisht, i pandehuri Fredi Alizoti ka hezituar dhe nuk ka pranuar që të kryejë veprimin e kërkuar, por pas disa ditësh ai ka rënë dakort, i ndikuar nga këmbëngulja e të pandehurit Albert Veliu si dhe joshja nga përfitimi financiar në shumën prej 100 mijë eurosh (gjysma e shumës prej 200 mijë eurosh) që ai do të kishte. Të dy të pandehurit kanë regjistruar bisedën e simuluar, në muajin Janar të vitit 2018, në qytetin e Vlorës, tek një lokal që ndodhet përballë lokalit të shtetasit Geron (Agron) Xhafaj. Bisedën ata e kanë regjistruar tek një mjet regjistrues i tipit stilolaps dhe mbasi kanë ardhur në Tiranë, i pandehuri Albert Veliu j’a ka dorëzuar të pandehurit Ervin Salianji, i cili ishte dhe personi që i kishte dhënë këtë mjet.
Publikimi i “audio-regjistrimit” të manipuluar, është kryer në datën 14.05.2018, nga i pandehuri Ervin Salianji atë kohë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe sekretar për aksionin qytetar në Partinë Demokratike, në një dalje për mediat së bashku me dëshmitarët Enkeled Alibeaj dhe Gazmend Bardhi. Në materialin e fabrikuar dhe të publikuar është paraqitur regjistrimi ambiental dhe i transikptuar i zërit të pandehurit Albert Veliu, gjatë kohës që ai ndodhej në një automjet duke simuluar sikur po kryente një bisede telefonike me shtetasin Geron (Agron) Xhafaj. Mandej, së bashku edhe me komentet me shkrim, është vazhduar me një regjistrim “audio” të një bisede ambientale të realizuar nga i pandehuri Albert Veliu në rolin e “Bashkëpunëtori X” dhe i pandehuri Fredi Alizoti në rolin e shtetasit Geron (Agron) Xhafaj, duke imituar zërin e këtij të fundit. Në fund, materiali i fabrikuar pason me një regjistrim “video” prej 6 sek, që tregonte pamje të një rruge, të regjistruara nga brendësia e një automjeti në lëvizje, shoqëruar me titrat “Bashkëpunëtori X ndoqi rrugën e treguar nga Geron (Agron) Xhafaj, bleu kanabisin tek trafikantët nën urdhërat e vëllait të Ministrit të Brendshëm, i qetë dhe pa ndjekjen e policisë”. Publikimi i materialit solli më pas edhe regjistrimin e një procedimi penal dhe kryerjen e hetimeve nga Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, të cilat në përfundim të tyre rezultuan pa ndonjë implikim për shtetasin Geron (Agron) Xhafaj duke passjellë edhe pushimin e çështjes penale sipas vendmit nr 53 date 12.4.2019. te Gjykates se Shkalles se Pare per Krime të Renda Tirane
Në zbatim të planit të mëparshëm të tij, në datën 24.05.2018 i pandehuri Albert Veliu është larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë duke kaluar në territorin e Republikës së Kosovës, jashtë vendeve të përcaktuara për kalimin e kufirit shtetëror. Në datën 28.05.2018, ai është paraqitur në policinë e Republikës së Kosovës dhe në datën 29.05.2018, ka kërkuar azil pranë zyrës përkatëse. Në vijim, mbasi është pajisur me çertifikatën e statusit të azilkërkuesit me nr.1311, është lënë i lirë nga policia dhe aktualisht ndodhet i arrestuar nga autoritetet e Mbretërisë së Belgjikës, duke i’u nënshtruar proçedurave të ekstradimit.

PËR KETO ARSYE
Gjykata bazuar në nenet 297, 305, 25, 47, 49,63 të K.Penal dhe në nenet 379,383 dhe 384 të K.Pr.Penale,
V E N D O S I:
1.Të deklaroje fajtor të pandehurin Albert Veliu për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, dhe në bazë të nenit 297 te Kodit Penal, e dënon me 10(dhjete) muaj burgim.
–Të deklaroje fajtor të pandehurin Albert Veliu për veprën penale “Kallzimi i rremë”, kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 305 e 25 te Kodit Penal, e dënon me 2(dy) vjet e 10(dhjete) muaj burgim.
-Ne aplikim te nenit 55 te Kodit Penal, ne bashkim te denimeve, denimin e te pandehurit Albert Veliu me 3 (tre) vjet e 5 (pese) muaj burgim.
-Afati i vuajtjes së dënimit për të pandehurin Albert Veliu fillon nga dita e kapjes së tij pasi ky vendim te marr forme te prere.
-Vuajtja e dënimit për të pandehurin Albert Veliu, do kryhet në një nga burgjet e sigurise së zakonshme.
Të deklaroje fajtor të pandehurin Fredi Alizoti për veprën penale “Kallzimi i rremë”, kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 305 e 25 te Kodit Penal, e dënon me 2(dy) vjet burgim.
-Afati i vuajtjes së dënimit për të pandehurin Fredi Alizoti fillon nga data e masës shtrënguese personale “Arrest në burg”.
-Vuajtja e dënimit për të pandehurin Fredi Alizoti, do kryhet në një nga burgjet e sigurise së zakonshme.
3.Të deklaroje fajtor të pandehurin Jetmir Olldashi për veprën penale “Kallzimi i rremë”, kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 305 e 25 te Kodit Penal, e dënon me 6(gjashte) muaj burgim.
-Në zbatim të nenit 63 të Kodit Penal, të pezullohet ekzekutimi i dënimit me burgim dhe zëvendësimin e tij, me detyrimin e të pandehurit Jetmir Olldashi për të kryer 100(njeqind) orë pune në interes publik.
-Detyrohet i pandehuri te mbaje kontakte me Zyren e Sherbimit te Proves të vendbanimit te tij.
-Heqjen e mases se sigurimit “Detyrim per paraqitje ne policine gjyqesore” te parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhene me vendimin Nr.2103 Regj.Them datë 12.11.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqesore Tirane.
4.Të deklaroje fajtor të pandehurin Ervin Salianji për veprën penale “Kallzimi i rremë”, kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 305 e 25 te K.Penal,e dënon me 1(një) vit burgim.
-Vuajtja e denimit per te pandehurin Ervin Salianji, fillon nga dita qe ky vendim merr forme te prere.
-Vuajtja e dënimit për të pandehurin Ervin Salianji, do kryhet në një nga burgjet e sigurise së zakonshme.
–Provat materiale të sekuestruar bazuar në nenin 190, pika 1, gërma “ç”, të K.Pr.Penale, konkretisht :
1.Një aparat telefonik celular i markës “Samsung” me nr.IMEI 356456094429945, kartë SIM 0685579637
2.Një aparat telefonik celular i markës “Samsung” me nr.IMEI 35504904136882, kartë SIM 0676494091, t’i kthehen të pandehurit Fredi Alizoti.
-Shpenzimet procedurale të fazes së hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore, jane në ngarkim të të pandehurve në mënyre solidare.
-Kundër vendimit mund të bëhet ankim nga palet brënda 15(pesembedhjete) diteve ne Gjykaten e Apelit Tirane duke filluar ky afat nga e nesërmja e shpalljes së këtij vendimi. Nje kopje e këtij vendimi t’’i komunikohet përfaqesuesve te viktimes.
U shpall në Tirane, sot më datë 18.12.2019.
SEKRETARE: Ornela BALLA GJYQTAR: Artan GJERMËNI
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.