Politike

Zbardhet programi qeverisës ‘Rama 4’, tre shtyllat kryesore ku është fokusuar (dokumenti)

Nga Gazeta ‘Si’- Në seancën e nesërme parlamentare(18 shtator) e cila mund të zgjasë deri të premten, kryesocialisti Edi Rama do të prezantojë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme. 

Programi, i cili është 59 faqe, mbështetet në tre shtylla kryesore: Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenia për të Gjithë.

Sipas qeverisë, anëtarësimi në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 mbetet prioriteti kryesor, ndërsa programi synon të forcojë shtetin e së drejtës, të modernizojë administratën digjitale, të zhvillojë ekonominë dhe të përmirësojë shërbimet për qytetarët.

Sipas programit, reforma në drejtësi do të konsolidohet me miratimin e kodit të ri penal e atij civil, përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore dhe reduktimin e korrupsionit. Po ashtu, parashikohet forcimi i diplomacisë dhe i rolit të diasporës në zhvillim.

Programi synon rritje ekonomike mesatare 4% në vit dhe rritjen e të ardhurave për frymë në 15 mijë euro deri më 2029. Do të vijojë konsolidimi fiskal, ulja e borxhit publik dhe ruajtja e politikës së taksës 0% për bizneset e vogla.

Mbështetja për sipërmarrjen referuar programit, përfshin marrëveshje tatimore afatgjata dhe nxitje të startup-eve përmes teknoparkut “Durana Tech Park”.

Investimet në infrastrukturë përfshijnë 700 km rrugë të reja, përfundimin e Korridorit Blu, modernizimin e hekurudhave dhe zgjerimin e rrjetit të internetit.

Turizmi shihet si motor zhvillimi, duke u synuar transformimi i Shqipërisë në destinacion gjithëvjetor dhe zgjerimi i agroturizmit e ekoturizmit.

Po ashtu, sipas programit, energjia, bujqësia dhe zhvillimi rural do të mbështeten me reforma strukturore dhe digjitalizim të shërbimeve.

Në arsim, qeveria parashikon 1000 laboratorë inteligjentë, fuqizimin e arsimit profesional dual dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare.

Shëndetësia do të konsolidohet me rindërtimin e qendrave shëndetësore, transformimin e QSUT në qendër ekselence dhe shëndetësinë digjitale.

Politikat sociale parashikojnë zgjerimin e programeve të strehimit, mbështetje për familjet dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe rritjen e shërbimeve për fëmijët dhe të rinjtë. Rinia do të përfitojë nga programe praktike pune, mbështetje për startup-et dhe qendra inovacioni në çdo bashki.

Programi parashikon modernizimin e sigurisë publike përmes projekteve “Smart City”, hartës digjitale të kriminalitetit dhe përdorimit të dronëve. Po ashtu, synohet ulja me 30% e fataliteteve rrugore deri më 2030 dhe përmirësimi i menaxhimit të kufijve sipas standardeve të Schengen-it.

Në mjedis, fokusi mbetet tek mbrojtja e biodiversitetit dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë