Gazeta Si – I riu Lear Kurti humbi jetën pas një ataku në zemër për shkak të mbidozës së kokainës dhe ishemisë akute.
Prokuroria ka zbardhur eksperëtizën mjeko-ligjore këtë të enjte në lidhje me shkaqet e vdekjes së Kurtit, 32-vjeçarit i cili humbi jetën pas shoqërimit nga policia mbrëmjen e 20 tetorit në Tiranë.
Akt ekspertimi mjeko ligjor konstaton se vdekja e të riut ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës).
“Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike: Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent. Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Para disa javësh, prokuroria nisi hetimet ndaj punonjësve të policisë që e shoqëronin për “veprime arbitrare dhe “mosdhënie ndihme”.
Mbrëmjen e 19 tetorit, rreth orës 23:00, Lear Kurti ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Riza Çuka” kur një patrullë e komisariatit nr 3 i ka kërkuar të ndalonte.
Por 32-vjeçari nuk iu bind duke u larguar me vrap. Pas një arratie rreth 400 metrash i riu u kap nga policia në rrugën “Don Bosko”.
Në njoftimin paraprak Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se gjatë shoqërimit ai shfaqi problem shëndetësore dhe është kërkuar ndihma e urgjencës.
Ndërsa policia pohoi se ai ndërroi jetë në spital, mjekët e Traumës theksuan se Kurti erdhi i vdekur.
Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore.
Nuk rezultoi që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe u konstatuan shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.