Politike

Zbardhet dokumenti, çfarë u arrit dhe tre pikat e paktit për zgjedhjet

Mazhoranca dhe opozita kanë arritur marrëveshjen në lidhje me reformën zgjedhore, duke kapërcyer edhe pengesën në lidhje me përbërjen e komisioneve zgjedhore. Sipas marrëveshjes, komisionet zgjedhore do të mbeten siç janë me zotimin e depolitizimit të tyre pas zgjedhjeve të radhës. Partia Demokratike e cilësoi fitore.

“Sot në ora 10.00, PD propozoi zgjidhjen për depolitizimin e administratës zgjedhore me përjashtimin e administratës publike nga komisionet zgjedhore. PS e refuzoi. Komisionet zgjedhore mbeten sicc janë. Depolitizimi i administratës zgjedhore do të kryhet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale”, deklaroi përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi.

Palët kanë rënë dakord për identifikimin biometrik, por duke pajtuar një ekspertizë të huaj nga Bashkimi Europian që të përcaktojë shkallën e shtrirjes së zbatimit të teknologjisë dhe nëse është e mundur shtrirja në të gjithë vendin, megjithëse parimisht mes palëve është rënë dakord që të zbatohet 100 për qind.

Përfaqësuesi i socialistëve, Damian Gjiknuri tha se mazhoranca u tërhoq nga rekomandimi i ODIHR për depolitizimin e administratës zgjedhore për të shmangur bojkotin e zgjedhjeve nga Partia Demokratike.

"Pavarësisht se rekomandimi i është që administrata të ishte e depolitizuar, PD nuk ishte gati, por është e rëndësishme që tani kemi rregulla të pranuara. Administrata e balancuar politike do të funksionojë edhe në zgjedhjet e 2021. E rëndësishme që PD hoqi dorë nga kërkesat absurde, nga qeveria tranzitore, u pranua që administrimi zgjedhor nuk ka ccaluar. U kthyen te institucionet. E rëndësishme është që ne ta pranojmë dhe ta zbatojmë këtë sistem dhe në zgjedhjet e tjera të fillojë depolitizimi”, tha Gjiknuri.

Rudina Hajdari tha se kishte marrë premtimin e SHBA për të diskutuar ndryshimin e sistemit zgjedhor në një moment të dytë.

"Mora garanci nga SHBA e BE se bisedimi për ndryshimin e sistemit do të vazhdojë, do të vijojmë të flasim për ndryshimin e sistemit dhe ligjin për referendumet. E rëndësishme është dhe vota e diasporës", tha ajo.

Oerd Bylkykbashi dhe Petrit Vasili ngjitën shkallët e Pallatit të Kongreseve në orën 19.30. Ndryshe nga herët e tjera, takimi I Këshillit Poliytik për reformën zgjedhore nuk u zhvillua në rezidencën amerikane, por aty ku nisën edhe mbledhjet dhe përpjekjet për konsensus.

Anëtarët e opozitës në Këshill kishin vetëm një letër në dorë, që paraprakisht mësohet se është drafti i marrëveshjes për reformën  zgjedhore.

Burimet thanë për gazetën “Si” se ka tym të bardhë për administrimin e zgjedhjeve, por vetëm pas mbledhjes, palët do të sqaronin më hollësisht se cila është formula e përbashkët, duke shmangur edhe ndonje surprize te fundit.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se marrëveshja garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1268976654099066880

“Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. PD dhe Opozita e Bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t'ua kthyer qeverisjen shqiptarëve. Në emër të Opozitës së Bashkuar ju shpreh falenderimet tona aleatëve dhe partnerëve tanë euro-atlantikë për ndihmën dhe kontributin e tyre për gjetjen e dakortësisë për administrimin zgjedhor”, shkroi Basha në Twitter

Kryeministri Edi Rama nuk e fshehu pakënaqësinë me marrëveshjen e arritur, e cilëson atë si të kushtëzuar për negociatat me Bashkimin Europian, por thotë se marrëveshja është ashtu siç e deshi Lulzim Basha.

“Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim na sollën fjalën e fundit: "Mirë e kishim ashtu siç e kishim". Po mirë, unë kam menduar e mendoj që ka edhe më mirë, po meqë LBPD janë të kënaqur me kaq për zgjedhjet e ardhshme,bujrum,si ta duan ata. Rëndësi ka që: LBPD do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën vetë. ODHIR është dakord që kjo nuk e cënon lirinë e zgjedhjeve. BE është e kënaqur, Shqipëria s'ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave. Ah po, mbaroi edhe revolucioni”, deklaroi Rama.

https://twitter.com/ediramaal/status/1268979743413714947

Pjesë e dakordësisë mes palëve për administrimin zgjedhor është edhe riformatimi i KQZ. Ky do të jetë një organ i ndarë në tre trupa të balancuara politike. Kryetari zgjidhet me konsensus, nënkryetari nga opozita. Megjithatë, gazeta “Si” mëson se puna e Këshillit Politik nuk ka mbaruar dhe do të vijojë për çështjet e tjera në Këshill, që nuk kanë të bëjnë me administraten zgjedhore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë