Politike

Zaev: Zgjedhje të parakohshme, BE na bëri padrejtësi

Pas “jo-së” për hapjen e negociatave, Maqedonia e Veriut do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri Zoran Zaev ka njoftuar ditën e sotme rënien e qeverisë së tij, duke thënë se Bashkimi Europian bëri të premten një gabim historik mos i dhënë vendit të tij dritën jeshile për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.

“Brukseli na bëri një padrejtësi, pasi ne kemi bërë të gjitha detyrat. Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Ky është një vendim i gabuar i Europës dhe vjen si pasojë e problemeve të tyre të brendshme”, deklaroi Zaev në një fjalim drejtuar popullit.

Por ai nuk e hoqi aq përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se nuk mund të qendronte më në detyrë në kushtet që populli është sipas tij i “dëshpëruar”.

“Ne jemi përgjegjës dhe duhet të marrim një vendim serioz. Sot çdo politikan duhet të marrë përgjegjësi dhe të dalë para qytetarëve”, deklaroi Zaev. “Fakt është që jemi viktimë e gabimit historik. Unë jam i dëshpëruar dhe e di se i gjithë populli e ndjen të njëjtën gjë”.

Sipas Zaev, ka dy rrugë, rruga drejt BE-së: miqësia me fqinjët ose rruga e konflikteve edhe me fqinjët edhe me miqtë ndërkombëtarë. “Këtë zgjidhje, duhet ta bëjnë qytetarët”, tha ai. “Unë jam i gatshëm, partia ime është e gatshme, ekipi im është i gatshëm, ne nuk do të dorëzohemi”, tha mes tjerash Zaev duke kërkuar edhe një mandat nga qytetarët.
Ai shtoi se ëndrra europiane e popullit maqedonas, shqiptar, serb, rom dhe e të tjerëve nuk duhet të rrezikohet.

“Propozimi im është organizim i zgjedhjeve të parakohshme, zgjedhjet ku qytetarët do të caktojnë rrugën ku të shkojë vendi” tha Zaev.

Kryeministri maqedonas tha se mbrëmjen e djeshme i kishin telefonuar pothuajse të gjithë liderët e vendeve anëtare për ta inkurajuar. Ai deklaroi se reformat në vend duhet të vazhdojnë dhe se Maqedonia e Veriut duhet që të vazhdoj me implementimin e marrëveshjeve e sidomos me Greqinë.

 “Duhet më shumë të vazhdojmë me reformat pasi që aspiratat tona për në BE nuk janë vetëm për t’u anëtarësuar por për të sjelle Europën tek qytetarët . Nëse jemi të mençur do të iu tregojmë të gjithëve se kështu të de-motivuar do të vazhdojmë me reformat. Sepse vetëm kështu qytetarët do të ndjejnë Europën” tha ai.

I pyetur për qëndrimin skeptik të presidentit francez Emmanuel Macron për zgjerimin e BE-së, Zaev tha se nuk ka dilema dhe se vendi I tij do të bëhet anëtar i BE-së.

 “Këtu do të bëhet si Europë. I kuptoj dilemat e Francës, por 27 shtete ishin pro Maqedonisë së Veriut", shtoi ai.

Ndërkaq, VMRO-DPMNE-ja, partia më e madhe maqedonase në opozitë kërkon që kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev menjëherë të japë dorëheqje të parevokueshme.

“Mjaft me gënjeshtra, mjaft me manipulime, Zoran Zaev duhet menjëherë të jep dorëheqje. Europa i ka thënë jo krimit, korrupsionit dhe zhvatjes, ndërsa qytetarët janë viktimë e Zoran Zaevit. Kjo disfatë është e Zoran Zaevit dhe politikave të LSDM-së, jo edhe e popullit maqedonas dhe qytetarëve të Maqedonisë. Populli ynë jeton me vështirësi, mbi 500 mijë qytetarë jetojnë në varfëri, krimi mbretëron në Maqedoni. Heqja dorë nga emri, identiteti, gjuha dhe historia nuk janë vlera europiane dhe se nevojiten reforma, të cilat VMRO-DPMNE-ja do t’i propozojë periudhën e ardhshme”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë