Ne rrjet

Zaev takon Biden, Presidenti amerikan premton vizitë në Ballkan

Kryeministri Zoran Zaev ka qënë lideri i vetëm i Ballkanit Perëndimor që ka zhvilluar gjatë samtit të NATO-s një takim kokë më kokë me presidentin amerikan Joe Biden. Sipas një njoftimi për shtyp nga qeveria e vendit fqinj, Zaev ftoi presidentin amerikan për një vizitë në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që Biden i ka siguruar dedikimin e SHBA ndaj rajonit.

Kryeministri maqedonas zbuloi se ai kishte një takim të shkurtër, por domethënës me Presidentin amerikan, nga i cili mori mesazhe inkurajuese dhe një njoftim për një vizitë në Ballkanin Perëndimor.

“Unë takova me presidentin Biden, ne patëm mundësinë për të biseduar, bisedimet ishin së pari për lidhjen tonë energjetike, të cilën ne po e bëjmë së bashku përmes projektit Alexandropoli, është një projekt amerikano-grek-maqedonas, por ne gjithashtu biseduam për vizitë në Ballkanin Perëndimor. Kam shfrytëzuar rastin për ta ftuar, natyrisht ai komentoi pozitivisht, duke më thënë se ai e njeh Ballkanin Perëndimor, ka punuar për Ballkanin Perëndimor, ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe sigurisht që do të planifikojë një vizitë në agjendën e tij. Ishte pozitive që ai u informua menjëherë dhe menjëherë u përgëzua për anëtarësimin tonë në NATO, tha Zaev.

“Jam i kënaqur që patëm mundësinë të diskutojmë me të për tema kaq të rëndësishme si dedikimi i Amerikës ashtu edhe i Europës për Ballkanin Perëndimor, megjithëse nuk jemi anëtare të BE-së, besoj se ata të gjithë na shohin njësoj, në fakt, President Biden e tregoi këtë përmes bisedimeve", theksoi kryeministri.

Kryeministri Zaev pati një seri takimesh të tjera bilaterale me udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s në këtë samit, i cili është i pari për Maqedoninë e Veriut si anëtare e plotë e Aleancës.

Presidenti Joe Biden e shfrytëzoi pjesëmarrjen e tij të parë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s për të rikonfirmuar aleancën trans-atlantike BE-SHBA dhe për të siguruar partnerët europianë se Amerika do të jetë gjithnjë në krah të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë