Lajme

Zaev nis betejën për të çuar deri në fund paktin me Greqinë

Pas dështimit të referendumit konsultativ, kryeministri Zoran Zaev dhe aleatët e tij perëndimorë janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për ta çuar deri në fund marrëveshjen më Greqinë.

Qeveria e social demokratëve ka dhjetë ditë kohë për të siguruar një shumicë prej dy të tretash, në mënyrë që të miratojë në parlament ndryshimet kushtetuese të Marrëveshjes së Prespës. Megjithatë Zaev nuk ka nguruar të paralajmërojë se nëse procesi për zbatimin e marrëveshjes dështon, Maqedonia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kreu i ekzekutivit ka nisur tanimë bisedimet me opozitën dhe aktorët e tjerë politikë, duke theksuar se nëse ata nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë, do të shpallë zgjedhjet e përgjithshme në nëntor.

“Nëse nuk kemi sukses atëherë nuk ka zgjidhje tjetër. Nuk mund të ngremë një proces dhe më pas të mbesin në vend. Duhet të ecim përpara dhe t’i kushtojmë vëmendje maksimale kësaj marrëveshjeje. Po përmbledhim analizat, planet dhe veprimet dhe do të fillojmë menjëherë bisedimet”, tha Zaev në një konferencë për shtyp. “Nuk kemi afate. E rëndësishme është të arrihet qëllimi. Për disa ditë do të kuptohet nëse ka ambient për marrëveshje ose jo. Nuk kemi biseduar me askënd, por unë personalisht pres shumë. Pse do të pyesni? Pres sepse zgjedhjet do të na ofrojnë numrat e deputetëve të nevojshëm për ndryshimet kushtetuese. Referendumi përfundoi dhe qytetarët dhanë përgjigje të qartë për drejtimin në të cilin ecë Maqedonia”, shtoi kryeministri.

 Angela Merkel dhe Zoran Zaev 

Megjithatë, ekspertët druhen se koalicioni qeverisës mund ta gjeje veten në një kurth. Procesi i negociatave me opozitën dhe anëtarët e saj do të jetë shumë i vështirë pas rezultatit të së dielës. Koalicioni i  VMRO DPMNE –së me disa partitë të tjera nacionaliste është i vendosur për ta penguar këtë nismë në kuvend. Së bashku me partitë shqiptare, Social Demokratët kanë 71 nga 120 karriget në parlament, por do t’u duhen edhe 9 deputetë nga radhët e opozitës. Disa ekspertë në Shkup shprehen optimistë, për shkak të se disa nga deputetet e  VMRO DPMNE –së u bënë thirrje qytetarëve për të votuar, duke dalë kundër vullnetit të partisë së tyre për bojkotimin e referendumit.

Nga ana tjetër, kryetari i partisë opozitare, Hristijan Mickoski është nën presionin e BE-së, posaçërisht atë të kancelares gjermane Angela Merkel, e cila vizitoi Shkupin përpara votimit së bashku me një mori personalitetesh perëndimorë. Ashtu si Zaev edhe ai gjendet tanimë në pozicion të vështirë. Nga njëra anë, partia është e përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE dhe NATO-. Ajo vendosi që Maqedonia të lëvizte drejt organizatave perëndimore në vitin 1999 dhe nënshkroi një marrëveshje asocimi me BE-në në vitin 2001. Megjithatë, elektorati i VMRO-DPMNE-së është shumë vigjilent ndaj nacionalizmit të shfrenuar, duke përfshirë edhe kultin e mbretërisë së lashtë maqedonase të Aleksandrit të Madh.

Kryetari i partisë opozitare, Hristijan Mickoski 

Mickoski do ta ketë të vështirë t’i kënaqë të gjitha palët, duke përfshirë edhe Gruevskin, i cili duket se vazhdon të ketë kontroll të konsiderueshëm ndaj partisë.

Nëse Mickoski qëndron i vendosur kundër presionit nga Perëndimi dhe Zaev nuk merr mbështetjen e asnjë prej deputetëve të VMRO-DPMNE-së, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, rezultati i të cilave nuk mund të parashikohet nga askush.

Elektorati kryesor i VMRO-DPMNE duket të jetë i paprekur, edhe pse partia humbi pushtetin në vitin 2017, pas një valë protestash anti-qeveritare. Mickoski mund të mbledhë nacionalistët maqedonas dhe të sfidojë Zaevin. Dhe duke parë rezultatin e referendumit, askush nuk mund të thotë se fitorja e kryeministrit është e garantuar.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë