Muzike

Zâ Fest, i jep “zâ” Shkodrës. Vlashent Sata: Risi do të jetë baleti

Festivali që ul këmbëkryq legjendat, poezinë, muzikën, kinemanë, Zâ Fest, do të rikthehet edhe këtë vit. Kësaj here Zâ Fest, do t’i japë “Zâ” Shkodrës, qytet i cili do të shndërrohet në pikën e takimit të kulturave dhe në tre ditë rresht kundruesit do të mund të shijojnë spektaklin.

Kantautori Vlashent Sata, i cili është edhe drejtori artistik i festivalit së bashku me artistët Arben Bajraktaraj, Gentian Doda, Josif Gjipali rrëfejnë risitë që do të ketë në këtë edicion të pestë.

Sata shpjegon se ky festival synon bashkimin e njerëzve, duke ftuar artistë vendës, fqinj e nga vende të ndryshme të botës, duke mundësuar kështu një bashkim të gjerë kulturor.

“Këtë vit jam shumë i lumtur që jam me një nga shtyllat e para të Zâ Fest që është Arben Bajraktaraj, i cili ka qenë që nga edicioni i parë dhe që vjen për me rrëfy poezi dhe tregime. Jam shumë i lumtur dhe për një shtyllë të re që i shtohet festivalit, tenori Josif Gjipali”, shprehet Vlashent Sata.

Sata u shpreh se do të bëhen bashkë zhanre aq të pangjashme të muzikës sa në raste të tjera zor se do i shijoje në të njëjtin vend.

“Josif Gjipali do të këndojë në Shirokë më datë 29 korrik, më 30 korrik në Gjuhadol do të sjellë këngët e vjetra shqiptare dhe ato të huaja gjatë kohës së komunizmit. Kemi një kontrast shumë të fortë, Oda Haliti DJ nga Prishtina, kjo përmbyll natën e dytë”, vijon më tej ai.

“Është kënaqësi që jam pjesë, Zâ Fest është munduar të më nxjerrë jashtë kornizave”, u shpreh artisti Josif Gjipali.

Risi e këtij festivali është edhe baleti, që do të ndërthuret mes repertorit të pafundmë të vokaleve që do të kumbojnë në natyrën e veçantë të Shkodrës.

“Koreografi Gentian Doda do të jetë një risi. Do të vijë me Valsin e Këputun në Kalanë e Rozafës më datë 31 korrik”, thotë Sata.

Festivali pluri-artistik më magjik në Shqipëri, do të na dhurojë copëza magjie me këngë e surpriza të reja më 29 korrik në Shirokë, 30 korrik në Gjuhadol dhe 31 korrik në Kalanë e Rozafës.

Për herë të parë, do i këndojë Rozafës dhe publikut magjik të Zâ Fest V më 31 korrik edhe shqiptari nga Zvicra, Gjon Tear’s, i cili mori mjaft famë nga Eurovisioni i këtij viti.

Më tej, kantautori shton se pjesë e festivalit do të jetë edhe takimi, Logu i Za-fest, ku njerëzit mes bisedave të shkëmbejnë eksperienca edhe ide.

“Logu i Za Fest është kuvendi ku të gjithë janë ftuar të thonë fjalën e tyre për çështje të ndjeshme social-kulturore. Të lumtur të kemi pjesë të këtij aktiviteti Saranda Bogujevci. Jemi të gëzuar që na vjen si mysafir edhe një nga njerëzit që kemi për zemër, Altin Prenga model frymëzimi dhe shembulli ideal që tregon se idetë nuk mbesim vetëm të tilla nëse në to investohet punë e mund”, vijoi më tej Sata.

Repertori i pafundmë i ritmeve, notave, poezisë, vokaleve, në tre net rresht pa dyshim do të mund të përthyejë çfarëdolloj barriere kulturore.

Në fund, Vlashent Sata premton se festivali do të jetë udhëtues. “Do shkojmë përsëri në Theth, në Valbonë, në të gjithë pjesën e Malësisë. Por do të vijojë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj”.

Zâ Fest

Zâ Fest është krijuar nga Vlashent Sata në gusht të vitit 2017. Kantautori Sata e nisi fillimisht me idenë e një koncerti që do të zgjonte ndjeshmërinë e vendësve dhe turistëve, mbi problematikën e plehrave që pas një ekskursioni të bukur linin një plagë në bukuritë thuajse të pacenuara natyrore.

Ky festival prej katër vitesh rizgjon vlerat shqiptare, kultivon artin, i cili bashkon njerëzit në gjuhët e tij universale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë