Teknologji

YouTube mund të jetë mjet efektiv për ruajtjen e kafshëve të egra

A mundet që platforma e shpërndarjes së videove në internet Youtube të shpëtojë kafshët nga gjuetia?

Mesa duket ky është rasti i ujqërve. Sipas një studimi të ri, njerëzit që shihnin video ku ujqërit tregohen pozitivë janë më tolerantë ndaj këtyre gjallesave. Studimi u zhvillua nga pedagogët në universitetin shtetëror të Karolinës së Veriut dhe u vlerësua toleranca e 273 pjesëmarrësve ndaj ujqërve para dhe pasi dëgjuan një listë me video të ndryshme nga Youtube për ujqërit.

Për të matur tolerancën e tyre, ekipi hulumtues u bëri pjesëmarrësve pyetje në lidhje me qëndrimet e tyre të përgjithshme ndaj ujqërve, si p.sh. nëse ata menduan se ujqërit ishin “të mirë” ose “të këqij”, i pyetën për pranimin e ujqërve në ambientin ku jetonin e të tjera pyetje të ngjashme.  Studiuesit zbuluan se shumë pjesëmarrës të anketës kishin qëndrime pozitive, por ata zbuluan se videot mund të rrisin qëndrimet e pranimit dhe gatishmërinë e pjesëmarrësve për të vepruar.

“Shumë lloje të kafshëve të egra për të cilat ne interesohemi duhet vetëm tolerancë. Ata nuk janë kafshë shtëpiake që kanë nevojë për shumë ndihmë nga ne. Ata thjesht kanë nevojë për ne që të mos i vrasim ose të shkatërrojmë habitatin e tyre,” tha will Casola, një ekspert i cili mori pjesë në studim.

Ekipi hulumtues zbuloi se njerëzit që identifikoheshin si liberalë kishin më shumë të ngjarë se ata që identifikoheshin si konservatorë, për të treguar ndryshime pozitive në favor të ujqërve. Ndryshimet më të mëdha të tolerancës ishin të lidhura me moshën më të vjetër. Njerëzit mbi moshën 40 vjeç, pavarësisht prejardhjes politike, kishin më shumë të ngjarë të ndryshonin qëndrimet e tyre për ujqërit.

Casola tha që puna e bërë nga ato autoritete dhe agjenci të cilat prodhojnë filma për ujqërit dhe speciet e tjera ishin një kontribut pozitiv i cili i ndihmoi njerëzit të mësojnë më shumë rreth kafshëve dhe botës natyrore.

“Të gjithë janë në rrjete sociale këto ditë, përfshirë agjencitë shtetërore të jetës së egër, agjencitë federale, organizatat jofitimprurëse  kështu që edhe rrjetet sociale mund të përdoren njëjtë si youtube për të rritur ndjeshmërinë e njerëzve për kafshët,” shtoi ai.

Studiuesit thanë që panë përmirësime në gatishmërinë e të anketuarve për të vepruar në emër të përpjekjeve për mbrojtjen e ujqërve,  por vunë në dukje se përveç nënshkrimit të peticioneve për mbrojtjen e këtyre gjallesave, të anketuarit ishin të gatshëm të ndërmarrin veprime të tjera specifike për të ndihmuar në ruajtjen e ujqërve.

Është shumë herët për të thënë nëse kjo do të përkthehet në një rritje të numrave të njerëzve që mbrojnë ujqërit apo gjallesat e tjera të egra, por është një indicie shumë e madhe për të bërë ndryshim.

Burimi:The Independent/Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë