Ngjarje

Ylli i nënkomisarit Saimir Hoxha vendoset në Murin e Kujtesës

Murit të kujtesës iu shtua mëngjesin e kësaj të enjteje ylli i nënkomisarit të rënë dy ditë më parë në krye të detyrës në Lezhë, Saimir Hoxha.

Ai u shpall Dëshmor i Atdheut, ndërkohë që në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi një moment aspak i lehtë për të gjithë bashkësinë humbjen e efektivit 44-vjeçar.

“Padyshim që ky është një moment jashtëzakonisht i rëndë për ju dhe në tërësi është një moment aspak i lehtë për të gjithë bashkësinë tonë, pasi humbja e jetës në krye të detyrës e një punonjësi të policisë, është një humbje tragjike që shkon përtej familjes, përtej miqve dhe të afërmve dhe prek shpirtin e një shoqërie dhe një vendi, - u shpreh Rama gjatë homazhit për të. - Sot ne jemi këtu për të kryer ceremoninë e vendosjes të yllit të Saimir në murin e kujtesës pranë Policisë së Shtetit, pranë yjeve të të gjithë dëshmorëve tanë”.

Rama tha se shteti i kishte garantuar ndihmë ekonomike familjes së Saimir Hoxhës dhe se nuk do ju mungonte asgjë përveç mungesës së Saimirit prezencën e të cilit, kryeministri tha se nuk e zëvendësonte dot askush.

Rama bëri me dije se fjala e tij do të ishte e shkurtër edhe për shkak të përkeqësimit të motit dhe përdori faktin se po binte shi i rrëmbyeshëm duke bërë të qartë se “i thotë më mirë të gjitha fjalët” për humbjen e nënkomisarit të Lezhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë