Libra

Xhevdet Bajraj: Me këngën e poezisë

Nga Suadela Balliu - Poeti e pat njohur në vitin 1993, kur kishte pak vite që qarkullonin lajmet, aq më rrallë ato rreth artit, ndër trojet shqiptare. I vëllai i pat sjellë nga Maqedonia një kasetë audio, titulluar “Kings of beer”, të një grupi shqiptar rroku, quajtur “Fish Hook”. Ato këngë, rrëfen ai, e shoqëruan gjatë, edhe kur u largua nga Kosova e u vendos të jetonte në Meksikën e largët. “As vet nuk e di sa shishe tekillë i kam pirë dhe sa tymin e cigares e kam thith, duke e dëgjuar këngën “Asgjë e largët””. Këngëtari pat lexuar në gazeta për një poet shqiptar, që po merr famë në fushën e letrave, në botë. E dinte se jetonte në qytetin e Meksikës dhe nuk e kishte menduar se do ta takonte, diku pranë, në Rahovec. Prej atij takimi lindi një këngë, me të cilën këngëtari Bojken Lako mori pjesë në edicionin e 57-të të Këngës në Radio Televizion. “ E tash mund ta paramendoni edhe sa do t’i pi duke e dëgjuar “Jeto jetën””, thotë poeti Xhevdet Bajraj, nga Meksika, ndërsa zbulon disa hollësi rreth këtij bashkëpunimi, ku poezia e tij, veç melodisë së krijuesit, ka veshur edhe atë të muzikantit.


Si u njohët me Bojken Lakon dhe si lindi bashkëpunimi mes jush?
Jemi njohur në Rahovec, në “Hardh Fest”, Festivalin e vjeljes së rrushit, në vitin 2015. Më pati befasuar modestia e tij, i pimë ca birra bashkë… Më duket se që më parë e kisha mik në Facebook, por nuk jam nga ata që i bezdis njerëzit. Ia pata dhuruar një libër që e kisha me vete dhe aq. Ai u kthye në Tiranë e unë Meksiko Siti. Pastaj ramë në kontakt dhe pas disa bisedave, ai më propozoi për të bashkëpunuar. Ishte një nder i madh ky për mua. Ia dërgova tre libra dhe duke pasur frikën që s’do të gjente ndonjë poezi të përshtatshme, i thashë që mund të bëjë ç’të dojë me to, të lëvizë vargje, të bashkojë fragmente nga poezi të ndryshme… Ai i zgjodhi dy poezi të shkurtra, i bashkoi ato dhe kështu u realizua ajo që as nuk guxoja ta ëndërroja: bashkëpunimi me Bojken Lakon.


Vendlindja e tij, Rahoveci dhe Kosova, i mungojnë kur i ka larg, ndërsa kur është aty, Bajraj, do të më thoshte në një intervistë të mëparshme se, i dhemb mungesa e shpresës, mes njerëzish, për një të ardhme më të mirë. Do të largohej nga Kosova, në maj të 1999-ës, gjatë kohës së luftës, me një bursë të Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve, siç quhej asokohe. Përmes programit të Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve dhe programit të tyre për shkrimtarët e persekutuar iu dha azil dhe bursë në “Casa Refugio Citlaltépetl”, në Meksikë. Prej asaj kohe u bë profesor me kohë të plotë i shkrimit krijues dhe letërsisë në Universitetin e Pavarur të Meksikës dhe është futur në Sistemin Kombëtar të Krijuesve të Artit. Ishte kohë lufte, Meksika tingëllonte aq bukur, ishte një rast i mirë për ta mësuar gjuhën spanjolle, sa për të lexuar dhe përkthyer në këtë gjuhë, në të cilën janë shkruar një numër i konsiderueshëm i faqeve të arta të librit të poezisë botërore, do të thoshte ai.

Poeti Xhevdet Barjaj dhe këngëtari Bojken Lako


A e kishit dëgjuar më parë muzikën e tij ?
Natyrisht, që në vitin 1993, vëllai e pat sjellë nga Maqedonia kasetën audio të grupit The Fish Hook, Kings of beer, ishte një befasi e këndshme për ne të dy. Që nga atëherë këngët e tij më kanë shoqëruar si në Kosovë po ashtu edhe në Meksikë. Ato ma zbutin vetminë, dhimbjen, mallin. As vet nuk e di sa shishe tekillë i kam pirë dhe sa tymin e cigares e kam thith duke e dëgjuar këngën “Asgjë e largët”. E tash mund ta paramendoni edhe sa do t’i pi duke e dëgjuar “Jeto jetën”.


Shpirti i poetit i lufton çdo ditë me një realitet të magjishëm meksikan, “por nuk don ta pranoi atë, sepse po t’i dorëzohej kësaj magjie, është i bindur se ashtu do ta pranonte disfatën”. Në Meksikë, mendon Bajraj, është një betejë e dhimbshme, por e ëmbël, e bukur, ndërsa në Kosovë është një betejë poashtu e dhimbshme, por e hidhët, e shëmtuar. Kështu, poeti, është një shpirt i trazuar brenda një trupi që bartë plagë të vjetra e të reja, e të cilat përpiqet t’i mjekojë me poezi.


I dhuruat tre libra me poezi, ndërsa Lako, mori vetëm disa vargje për këngën. Si titullohet poezia që ka përdorur Bojken Lako në këngën ‘Jeto jetën’? Çfarë përshtypje ju la kur e dëgjuat së pari?
Janë dy poezi nga libri im i fundit “Vitet që nuk e sollën pranverën” (De Rada, Ferizaj, 2018): Buzëqeshja dhe Puthja e parë, Bojkeni i ka përzgjedhur, i ka bashkuar dhe e ka arritur një rezultat të mrekullueshëm. Janë raste të rralla për mua kur mund ta shijoj ndonjë fryt të veprimtarisë sime. Unë e kam një CD me një rock grup meksikan, në të cilën unë i lexoj poezitë e ata më përcjellin me muzikë (rock), një herë e kam dëgjuar një pjesë të incizimit dhe kurrë më, edhe pse CD-në e kam pranë duarsh. Një herë e kam parë filmin në të cilin paraqitem si koprotagonist dhe, kurrë më nuk e kam shikuar. Monodramën time kurrë nuk e kam parë në skenë, librat e mi nuk mund t’ i lexoj (në asnjë gjuhë). Është hera e parë që mund ta përballoj veten time apo një pjesë të vetes sime, dhe kjo ndodhi falë Bojkenit. Është një përvojë e re, e mrekullueshme kjo për mua.

Libri "Vitet që nuk e sollën pranverën", Xhevdet Bajraj


Filmi “Aro Tolbukhin: Në mendjen e Vrasësit”, ku Xhevdet Bajraj interpretoi si bashkë-protagonist, fitoi një çmim Ariel dhe u fut në garën e filmave të huaj në Çmimet “Oscar” të vitit 2003. Njihet si poet dygjuhësh, duke shkruar në shqip dhe spanjisht, edhe pse ka rrëfyer se viteve të fundit ka shkruar më shumë në gjuhën spanjolle. Bajraj nuk njihet vetëm si poet, me libra si “El tamaño del dolor” (Pesha e dhimbjes), “Ruego albanés” (Lutje shqiptare), apo “Vrasja e Mushkonjës, por është gjithashtu dramaturg. “Gjatë disa viteve që nuk shkruaja dhe si pasojë e kësaj nuk botoja në gjuhën shqipe, më mori në telefon një miku im nga Prishtina dhe më tregoi për konkursin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Që nga rinia e hershme e kisha një respekt për monodramën, ishte koha e pushimeve kështu që vendosa të ulem”, do të thoshte Bajraj. Për poezinë e tij në gjuhën shqipe, thotë se e ka mbajtur gjallë Fatmir Sulejmani. “Në Shqipëri ma botoi një antologji personale Petraq Risto. Pas shumë viteve që nuk shkruaja në gjuhën shqipe, Shtëpia Botuese “KOHA”, ma kërkoi një libër… Ishte ky një sinjal për mua që dëftonte që nuk më kanë harruar në Kosovë, ishte një rast i mirë të kthehem në Kosovë nëpër dyert e mëdha”, do të kujtonte poeti. Pasi u kthye në Rahovecin e tij, bëri një promovim, të cilin siç e përshkruan ai, e bëri t'i i kthehet gjuhës shqipe.


Poezia ka melodinë e saj, ritmin e brendshëm të vetë poetit. Si ju ngjan me një ritëm tjetër, të një muzikanti?
Përpiqem t’ia huazoj zërin kohës në të cilën jetojmë, njeriut të kohës sonë. Kjo kohë e ka një ritëm jashtëzakonisht të shpejt dhe poashtu i ka karakteristikat e veta. Është një detyrim profesional që ky ritëm të ndiqet nga krijuesi artistik, secili është kapiten i anijes së vet dhe secili duhet t’i përshtatë velat e anijes së tij drejt destinacionit që ia ka caktuar vetit, varësisht nga rrethanat nëse është kohë me diell apo gjendemi në mes të një shtrëngate. Fati na takoi mua e Bojkenin dhe unë ndjehem i privilegjuar, shumë i privilegjuar.

Në poezinë që shkruan në gjuhën shqipe, thotë ai, gjendet aromë Meksike dhe shumë shqiptarizëm në poezitë që i shkruan në gjuhën spanjolle. “Përveç këtyre dy kulturave, në poezinë time ka edhe pjesë të tjera të botës. Gjithnjë duke u nisur ajo thënia e famshme latine: Jam njeri, dhe asgjë njerëzore nuk është e huaj për mua”, do të thoshte Bajraj.

Nuk e di sa jeni në dijeni, por në Shqipëri, veçanërisht viteve të fundit, pak rëndësi i vihet tekstit të një kënge. Ç'mendim keni për bashkëpunimet mes poetëve dhe muzikantëve? A rrinë poezitë në një këngë, ku vargjet bëhen komponent, por nuk janë kryefjala, siç mund të jetë në poezi?
Jam në dijeni për këtë, ashtu siç jam në dijeni për nobelistin Bob Dylan, apo fituesin e ‘Princit të Asturias’, Leonard Cohen, që të dy kontribuues të mëdhenj të poezisë universale. Për mua muzika, qoftë ajo dhe instrumentale, është tekst, dhe natyrisht, teksti është muzikë (dhe këtu nuk e kam fjalën për rimë).

https://www.youtube.com/watch?v=lzcq2YvtRXo


A do ta vazhdoni bashkëpunimin me Bojken Lakon më vonë? Ndoshta në një koncert tingujsh dhe vargjesh, jo domosdoshmërisht në një këngë...
Jeto jetën është një ëndërr e imja e realizuar. Në një koncert të mundshëm tingujsh dhe vargjesh, do ta zbutja shtrëngatën e jetës si kafshën.

Dy poezitë e Bajrajt do të shrkiheshin në tekstin e këngës "Jeto Jetën", një himn për dashurinë dhe vetë jetën:

Më dhuro një buzëqeshje
Kam nevojë për të
Si lulja, për tokën
Për të lëshuar rrënjë
Si kolibri gjithë universin
Që të fluturoj
Më jep një buzëqeshje,
që të mundem të jetoj
Dua të jetoj
Të jetoj me ty
Kjo jetë kalon shumë shpejt
Por un e preka përjetësinë
Kur të putha ty
Nën diell për herë të parë
Jetova !


Poezia juaj është e veçantë edhe për faktin se shkruhet në dy gjuhë. Pra, versioni shqip dhe ai spanjisht nuk janë të përkthyer, por vijnë nga vetë autori. Cila është gjuha e nënvetëdijshme e krijimit? Ju vjen së pari në shqip poezia apo tanimë janë shkrirë të dy gjuhët?
Përpiqem ta gjej një mes që të mund të komunikoj me të dy gjuhët në të njëjtën kohë dhe poashtu në të njëjtën kohë të përpiqem ta bëj një hap para në të dy traditat letrare. Jam i “detyruar” ta bëj këtë sepse nuk kam kohë të merrem me secilën e veç e veç. E ndjej një zbrazëti brenda meje që nuk mund të gjej kohë për të shkruar vetëm në gjuhën shqipe, por këtë përpiqem ta kompensoj me imazhin poetik, në te gjithmonë kërkoj hapësirë për ta injektuar një dozë të shpirtit tim kuqezi. Sidoqoftë, më duhet të shkruaj në gjuhën spanjolle, ndër të tjera, jam bursist i Sistemit Kombëtar të Krijuesve Artistikë të Meksikës, tekefundit, bota ime materiale rrjedh nga kjo gjuhë.

Të dyja gjuhët, thotë se i ka të përqafuara brenda vetes. “Shkruaj në të dyja gjuhët dhe derisa shkruaj në njërën nga këto, jam i vetëdijshëm nëse poezia funksionon në të dyja gjuhët apo veç në njërën”, do të thoshte kohë më parë Bajraj. E di se jo gjithë që shkruan në spanjisht tingëllon bukur edhe në gjuhën shqipe apo e anasjella.

Në sa gjuhë tingëllon poezia juaj? Në cilat vende është përkthyer?
Përpiqem ta vë në shërbim të njeriut, duke mos e harruar këshillën e Tolstoit. Është përkthyer në disa vende, përveç Meksikës, në SHBA, Turqi, Gjermani, Serbi, Poloni etj. Është botuar po ashtu në Ekuador, Kolumbi, Kili, Spanjë, Australi… Më duhet të theksoj se nuk më kanë botuar brenda sistemit ‘unë ty, ti mua’.


Xhevdet Bajraj është poet, përkthyes dhe profesor në Universitetin e Meksikës. Vepra e tij poetike që i numëron më shume se njëzet vëllime është përkthyer në anglisht, gjermanisht, spanjisht, danisht, serbisht, sllovenisht, hungarisht, turqisht dhe polonisht. Ka marrë disa çmime dhe derime, si çmimi i librit më të mirë poetik më 1993 dhe 2000, nga Shoqata e Poetëve të Kosovës, Çmimi Ndërkombëtar Goliardos për Poezinë, më 2004-ën; Çmimin Katarina Josipi më 2010-ën për famën më të mirë origjinale shkruar në gjuhën shqipe, çmimin e parë në Festivalin e Monodramës në Vlorë, më 2013-ën dhe çmimin e librit më tëm irë të poezisë, paraqitur në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Prishtinë.

Keni botuar se fundi, librin “Cuatro patrias”. Cilët janë katër atdhetë për ju?
“Katër atdhetë” janë katër shtete në botë që lidhen me nipin tim Arbenin. Ai ka lindur në Filadelfia (Pensilvani), nënën e ka nga Kili, babai i tij është rritur në Meksikë, (ndërsa gjyshërit e tij nga ana e babait e festojnë Ditën e Flamurit Shqiptar). E thashë që ai quhet Arben, Arben Bajraj.


Si janë kontaktet me Kosovën, sa shpesh e vizitoni? A reflektohen ndryshimet e saj në poezinë tuaj?
Kontaktet me Kosovën janë të përditshme, nëpërmjet lajmeve dhe bisedave me nënën dhe me miq. Çdo vit udhëtoj për në Kosovë dhe poashtu çdo vit e vizitoj Shqipërinë. Natyrisht që reflektohen ndryshimet e saj, të Shqipërisë, Ballkanit, Meksikës dhe ndryshimet në botë në poezinë time. Është ky një qëndrim etik për mua si krijues artistik dhe medoemos që e përbën shtyllën kurrizore të propozimit tim estetik. Natyrisht, nuk është kjo vetvetiu origjinale, koha është ajo që këtë e bën origjinale. D.m.th. pasqyra nuk është origjinale, por ajo nuk vendos se cilat objekte do të shfaqen në te. Jeta atje ka njëzet vjet që çalon rrugëve të kapura të lirisë, kështu që derisa të jetë ashtu, nga poezia ime do të kullojë dhimbja. Përndryshe jetoj për të shkruar poezi të dashurisë për “bijtë dhe bijat e internetit”.


Cili mund të quhet atdheu i vërtetë i një poeti?
Kjo botë me kohën është tkurrur, veç i verbëri nuk mund ta sheh. Sidoqoftë, nuk duhet harruar atë thënien e famshme të Tolstoit: Përshkruaje fshatin tënd dhe do të jesh universal. Meksikën e quan shtëpi të poezisë së tij, ku përpiqet të bëjë art dhe “të lëpij plagët e mia.”

Tashmë Meksika e largët, prej 1999-ës u kthye në vendin e fëmijëvë të tij. Thotë se nga shpirti latin ka marrë mënyrën si e përjeton ushqimin, jetën dhe vdekjen. Me këto të trija, thotë poeti Xhevdet Bajraj, meksikanët bëjnë dashuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë