Lajme

Xhafaj-Soreca: Javët në vijim, projekte e rezultate konkrete

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, paraditen e sotme ka zhvilluar një takim pune me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Takimi ka zgjatur rreth 60 minuta, ndërsa vjen pas aksionit të policisë që goditi grupin Bajri në Shkodër dhe Tiranë në bashkëpunim me autoritetet holandeze.

Ministri Xhafaj e ka njohur ambasadorin Soreca në mënyrë të hollësishme me rezultatet e fundit të Policisë së Shtetit në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”; procesin e Vettingut në Polici, për të cilin kërkoi asistencë dhe ekspertizë për mbarëvajtjen e tij. 

Pas takimit përmes një statusi në rrjetet sociale, Xhafaj paralajmëroi të tjera rezultate konkrete në javët në vijim.

“Sot pata kënaqësinë të zhvilloja takim shumë miqësor dhe profesional me një ekspert shumë të mirë të çështjeve të sigurisë: Ambasadorin e ri të BE Luigi Soreca. Trajtuam çështje të rëndësishme mbi prioritetet dhe pritshmëritë e BE e vendeve anëtare ndaj Shqipërisë në fushën e ligjzbatimit. Ambasadori më konfirmoi gatishmërinë për mbështetje e thellim të bashkëpunimit në fushat prioritare të MB e PSH, e një mbështetje aktive me programet e asistencës financiare dhe teknike për to. Javët në vijim do flasim për projekte dhe rezultate konkrete. Punë të mbarë z. Ambasador!”,  shkruan Xhafaj.

https://twitter.com/FatmirXhafaj/status/1044569573671030784

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë