Lajme

“Xhafaj”, Rama: Audio-përgjimi joautentik, kërkohet të destabilizohet vendi

Kryeministri Rama ka zgjedhur mbledhjen e grupit parlamentar socialist për t’i dhënë përgjigje akuzave të fundit të PD, por edhe për të sqaruar opinionin publik.

Në lidhje me audio-përgjimin e publikuar nga PD, Kryeministri deklaroi me bindje se nuk është autentik, duke iu përgjigjur kështu edhe paraardhësit të tij demokrat: “Për materialin audiokomprementues Berisha tha se e kemi bërë me kujdes dhe shtoi se dëshmitarin nuk e nxjerrim se kemi frikë se mos na e vrasin.  Unë kam kërkuar nga një agjenci e specializuar ndërkombëtare ekspertizën shkencore të këtij materiali dhe burimet e duhura zyrtare për mbledhjen e çdo informacioni të disponueshëm të agjencive përkatëse dhe partnerëve mbi çdo indicie të mundshme lidhur me vëllanë e ministrit të Brendshëm. Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore të kryer në një ndër laboratorët më seriozë të botës, mua ajo përgjigje më mjafton. Nuk jemi përpara një akti kompromentues të ministrit të Brendshëm, por para një akti mashtrimi të një materiali joautentik përmes të cilit synohet destabilizimi i qeverisjes dhe shkatërrimi i segmentit të fundit për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE. Një overdozë balte për të mbajtur të motivuar deputetë në Europë që të bien ndesh çeljes së negociatave me Shqipërinë, duke i treguar të tjerëve se çfarë hataje ka ndodhur në Shqipëri” - tha Rama.

Me tone të ashpra ndaj opozitës, Kryeministri vijoi fjalën e tij: “Ky sekret mafioz u zbulua nga opozita jonë dhe u shpërnda jo vetëm në median tonë që pati një shok amnezik, po në të gjitha faqet e Facebook të ministrave të vendeve anëtare të BE. Ministri i Brendshëm paska qenë diversanti i krimit të organizuar në krye të Komisionit të Reformës, ku ka futur në fshehtësi një nen klandestin me qëllim mosekstradimin në Itali të vëllait të tij. Lavdi Zotit që shqiptarët kanë opozitën syfajkua e hundëçakall që zbuloi këtë akt mafioz kaq tronditës për mediat tona, duke u bërë thjesht një pyetje partnerëve të EURALIUS dhe OPDAT.

Kjo është një maskaradë e mirëfilltë destabilizuese e vënë në skenë për t’i thënë Europës se ky është një vend ku Ministria e Brendshme është vetë organizata mëmë e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës dhe për t’u thënë shqiptarëve se sa të jetë Edi Rama në qeveri ministrat e Brendshëm do të jenë eksponentë të lartë të botës së krimit global. Si e tillë maskarada kësaj here meriton një përgjigje të qartë në rrafshin politik, por edhe shembullore në rrafshin e hetimit dhe ndëshkimit penal. Kush e organizoi këtë lojë të ndyrë përmes një mashtrimi të tillë publik dhe për të goditur Shqipërinë, duhet të paguajë sipas ligjeve dhe dënimi është më burg”, tha Rama.

Kryeministri ia mbylli të gjitha dyert opozitës që kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm duke deklaruar se “Fatmir Xhafaj nuk do të përgjigjet as ligjërisht, as moralisht, pasi nuk kemi njerëz për të lëshuar në dhëmbët e ujqërve”- theksoi kreu i qeverisë duke garantuar se ata nuk i kërcasin dhëmbët orgneve të drejtësisë kur secili prej tyre në vihet në akuzë.

“Fatmir Xhafaj do të vazhdojë detyrën e tij, por Prokuroria do të bëjë detyrën e saj” – tha Kryeministri Rama.

PD reagoi përmes nënkryetarit të saj, Edi Paloka, fill pas deklaratës së Kryeministrit Rama në lidhje me ministrin Fatmir Xhafaj duke e cilësuar si shfaqje të radhës daljen e tij në grupin e PS.

“Rama mbajti qëndrimin që pritej, mbrojti ministrin e tij me argumente absurde, pasi ai po mbron veten. Me të njëjtat fjalë si Xhafajn mbrojti edhe Tahirin, që sot është në arrest shtëpie, se drejtësia është e kapur” - deklaroi Paloka.

Kreu i grupit demokrat akuzoi Ramën se është ai kupola e krimit dhe shprehja e tij “s’ka parë gjë akoma” është e vlefshme edhe për rastin “Xhafaj”.

Paloka akuzoi Ramën se i dha urdhër Prokurorisë të thotë se audio-përgjimi nuk është i vërtetë.

“Rama i ka bërë ekspertizën një përgjimi që është në Prokurori, por do t’ia dëgjojë krismën” - deklaroi Paloka para mediave

“Protesta e sotme është vetëm një hap i qytetarëve që na kërkuan t’i mbështesim, nuk do të ndalemi derisa Xhafaj të ikë dhe Rama të shkojë atje ku duhet. Rama do të pendohet”- mbylli reagimin e tij Paloka gjatë protestës para Ministrisë së Brendshme, ku opozita kërkoi largimin e Fatmir Xhafajt nga detyra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë