Lajme

Xhafaj mbështet Veliajn: Jepini mandatin e dytë

Vetëm pak ditë pasi dha dorëheqjen, ish-ministri Xhafaj sot ka dalë përkrah kryebashkiakut Veliaj në njësinë numër 10 të Tiranës.

Xhafaj është shfaqur përkrah kryebashkiakut Erion Veliaj, duke vijuar kështu fushatën elektorale, pavarësisht se zgjedhjet për kryetar bashkie duan edhe pak muaj.

Në fjalën e tij, Xhafaj i dha një mbështetje të fortë Veliajt, duke e cilësuar si një njeri që ka ardhur për të shërbyer. Ish-ministri, aktualisht deputet i PS-së, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i ofrojnë mbështetje.

“Ka njerëz që ulen në një karrige dhe janë të kënaqur që kanë kapur një karrige. Ka njerëz që marrin një pushtet dhe janë të lumtur që marrin një pushtet. Ka njerëz që vijnë për të shërbyer, që kanë një mision dhe që duan të lënë një gjurmë përmes mundësisë që u jep pushteti, dhe ky është Erion Veliajn. 4 vite më parë kam folur shpesh me ju, pasi do duhej të flisja për kandidatin e ardhshëm, Veliajn. E di që ka pasur skeptikë ndër ju, sidomos ata të partisë sonë. Rezultatet dhe puna e tij sot janë treguesi më i mirë. Erion Veliaj hyri për një mision dhe po kërkon një mandat të dytë për ta çuar në fund këtë mision. Gjeja më e mirë e tij është puna”, ka thënë ndër të tjera Xhafaj.

Ish-ministri Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen mëngjesin e së shtunës, por akoma nuk janë bërë të ditura arsyet e kësaj dorëheqjeje të bujshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë