Politike

Xhafaj kërkon reagim të SHBA e BE: Xhaferllari, jo anëtare e Gjykatës, degradoi sistemin

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj del kundër presidentit Meta, i cili ka dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Xhafaj shprehet se e dekretuara nga presidenti nuk plotëson kushtet e nevojshme për të qenë si anëtare e kësaj gjykate. “Më bindjen time znj.Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Nuk plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë e tillë. Votimi klientelist dhe lidhjet shoqërore brenda KED e përfshinë në listë ish Kryeinspektoren e KLD së vjetër që degradoi sistemin”, shkruan Xhafaj.
Njeriu që udhëhoqi reformën në sistemin e drejtësisë dy vite më parë, thekson se “Presidenti, sipas meje, në këtë rast nuk ka të drejtë. Ka nxjerrë një dekret të paligjshëm në tejkalim të afatit ligjor. Nuk të bën betimi gjyqtare, por kushtetueshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur”.
Në postimet e njëpasnjëshme, deputeti Xhafaj nuk lë pa kritikuar as veprimin e anëtares Vitore Tushaj, që sipas tij ka përjashtuar nga njohja si anëtare të Arta Vorpsit. “Në web e Gjykatës Kushtetuese, znj.Tusha ka botuar listën e anëtarëve të rinj! Pyetja është kë të besojmë, znj.Tusha n/kryetare të KED-së, që ka shpallur znj.Vorpsi fituese apo znj.Tusha gjyqtare që nuk respekton as vendimin e organit që drejton. Në cilin kuorum të GjK-së u bazua kjo vendimmarrje?”, thekson Xhafaj.

https://twitter.com/FatmirXhafaj/status/1196037129299734528


Deputeteti socialist gjithashtu kërkon edhe ndërhyrjen e partnerëve ndërkombëtarë që kanë asistuar në kët proces, duke thumbuar njëkohësisht Metën se “Kushtetuta që Presidenti e ka votuar, por nuk e ka shkruar, është produkt i Ekspertizës më të mirë vendase e BE-së, SHBA-ve dhe Gjermanisë”. Sipas tij opinioni i Komisionit të Venecias ka theksuar qartë domosdoshmërinë e afateve dhe mekanizmave zhbllokues. Për Xhafajën për këtë situatë partnerët dhe bashkëhartues të Kushtetutës e ligjit të Gjykatës Kushtetuese duhet të reagojnë qartë.
“Zbatimi i Reformës në Drejtësi kërkon agjendë të qartë veprimi, angazhim e përgjegjshmëri dhe kryesorja objektivitet e paanshmëri. Situata e koklavitur, jo për faj të kushtetutës e ligjit, por gabimeve në zbatim. Pasojë e mendjeve të nxehta e qëllimkëqija. Kur arsyeja mungon, fryma dhe germa e Kushtetutës lexohen keq, duhet reagim. Kryesorja me mekanizma politikë, por edhe me veprime të mirë menduara ligjore, institucionale dhe gjyqësore. Nëse duhet ka edhe precedentë e ekspertizë ndërkombëtare”, thekson ish-ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë