Lajme

Xhafaj: Audio-përgjimi i PD sajesë, askush nuk mund të më shantazhojë

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka thyer heshtjen disa ditë pasi opozita ka përshkallëzuar akuzat ndaj tij, në lidhje më të vëllanë, të cilin selia e blu e akuzon se vijon trafikun e drogës.

Në lidhje me audio-përgjimin e PD për vëllanë e tij, ministri Xhafaj u shpreh se është sajesë e plotë, mashtrim dhe i bërë keq madje. “Nëse opozita nuk e ka bërë vetë këtë, dhe sinqerisht, nuk dua ta besoj se është ajo nxitësja dhe realizuaesja e këtij akti skandaloz, atëherë ajo ka rënë viktimë e të tjerëvë. Kushdo i përfshirë në këtë skandal të madh do të marrë përgjigjen e merituar. Veprimi është tipk mafioz. Fabrikimi i një fakti kriminal, të paqenë për ministrin e Brendshëm dhe familjarët e tij përbën një shantazh kundër institucioneve publike të sigurisë. Sot i kërkoj publikisht Prokurorisë, veprime të shpejta dhe energjike për gjetjen e të gjithë atyrë që janë përfshirë në këtë aferë kriminale dhe të marrin dënimin në mënyrën më të merituar”- u shpreh Xhafaj.

Ministri i Brendshëm i cilësoi si mashtrim dhe shpifje akuzat e PD për përfshirjen e vëllait të tij Agron Xhafaj në trafikun e drogës në Shqipëri.

“Marr të gjitha përgjegjësitë ligjore dhe morale nëse ka qoftë edhe një grimcë të vërtete në lidhje me këto akuza. Prej vitit 2002, vëllai im ka jetuar në Shqipëri dhe nuk ka asnjë problem me ligjin.”- theksoi Xhafaj.

Ministri Fatmir Xhafaj në konferencën e posacme për shtyp deklaroi se i vjen keq për opozitën, e cila ka rënë në batakun e intrigantëve dhe shantazhuesve të rëndomtë duke shtuar se “Interesat meskine të kësaj opozite janë bërë bashkë me interesa të grupeve kriminale dhe subjekteve të caktuara brenda e jashtë sistemit të drejtësisë së kalbur”.

“Të errësuar në logjikën e tyrë ata kanë vendosur të bashkëpunojnë edhe me djallin, vetëm e vetëm që kjo qeveri të ikë nga pushteti, pavarësisht dëmit të pallogaritshëm, që mund t’i shkaktohet vendit në këto momente delikatë të procesit të inteëgrimit evropian” – tha Xhafaj.

Ministri dha sqarimin e tij dhe i quajti qesharake akuzat se ka falsifikuar nenin 491 pika “f” për ekstradimin, të Kodit të Proceduares Penale.

“Nuk ka asnjë kontribut timin teknik si në njërin variant të draftit edhe në tjetrin. Neni 491 i KPrP është në përputhjë me Konventat dhe Kushtetutën, pika “f” e tij  është një standard ndërkombëtar dhe fjalë për fjalë përcaktimi i nenit 3 të Protokollit të Dytë Shtesë të Konventës Evropiane për Ekstradimin, të cilin Shqipëria e ka ratifikuar që në vitin 1998, pra ky kusht ishte i zbatueshëm bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare dhe i reflektuar në ligjin për marrëdhëniet ndërkombëtare juridiksionale të miratuar në 2009, kur opozita e sotme ishte në pushtet. Ligji nuk ka lidhje me vëllanë tim” – theksoi Xhafaj.

Ministri deklaroi se nuk do ta japë dorëheqjen nga posti dhe as Kryeministri nuk e ka kërkuar një gjë të tillë.

Xhafaj njoftoi se shumë shpejt do të bëhen funksionale edhe SPAK e Byroja Kombëtare e Hetimit dhe krimi do të humbë gjithmonë e më shumë tërren. Ministri i Brendshëm mbylli konferencën e tij para mediave me deklaratën “Unë nuk kam frikë, askush nuk mund të më shantazhojë”.

Reagimi i Xhafajt, PD: Ministri kërcënoi Ramën me rrëzimin e qeverisë  

PD reagoi përmes deputetit Alibeaj pas deklaratave të ministrit të Brendshëm.

“Fatmir Xhafaj, njësoj si Tahiri, paralajmëroi Ramën se largimi i tij do ta thotë rënie e qeverisë, Për të bërë këtë kërcënim për Ramën, Ministri i Brendshëm akuzoi opozitën se po bashkëpunon me djallin për të rrëzuar qeverinë! Fatmir Xhafaj, njësoj si Edi Rama, e di se përgjimi është i vërtetë dhe se vëllai i tij ka vazhduar trafikun e drogës. Agron Xhafaj u dërgua në Itali pa ia nxjerrë më parë opinionit publik me zë dhe me figurë. Opozita është i vetmi autoritet në këtë vend që ka denoncuar lidhjet e qeverisë “Rama” me krimin. Ne as nuk jemi trembur dhe as nuk tërhiqemi nga sulmet e një bande kriminale qeverisëse, që kërcënon me burg opozitën, por jo kriminelët dhe trafikantët e drogës. Beteja jonë do të vazhdojë me të njëjtën forcë” – u shpreh Alibeaj nga selia e PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë