Lajme

Xhaçka: Për 17 ditë u ndezën qëllimisht 91 vatra zjarri

Në Shqipëri janë identifikuar plot 91 vatra zjarri brenda 17 ditësh. Ministria e Mbrojtjes dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka ngritur shqetësimin për situatën pasi nuk kemi të bëjmë me shkaqet natyrore, por të dorës së njeriut.

“Tashmë, kur jemi në stinën e vjeshtës dhe temperaturat kanë rënë ndjeshëm, ne po ndeshemi me një fenomen sa paradoksal, aq edhe kriminal, me zjarret që po përfshijnë kullotat dhe tokat bujqësore.

Të dhënat tona tregojnë për një rritje shqetësuese të zjarreve në këtë periudhë. Vetëm në harkun kohor 10 - 27 shtator janë verifikuar gjithsej 91 vatra zjarri, prej të cilave janë djegur një sipërfaqe prej 262 ha kullotë, shkurre, livadh, pyje, pemëtari, tokë bujqësore, bazë ushqimore për bagëtinë, etj. Janë djegur 1162 rrënjë ulliri të vjetër dhe të rinj.

Për shuarjen e këtyre vatrave janë angazhuar deri më tani rreth 100 mjete zjarrfikëse dhe rreth 500 forca nga strukturat vendore të Shërbimit zjarrfikës, Emergjencave Civile dhe struktura nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe sigurisht efektivë të forcave tona të armatosura”, shprehet Xhaçka.

Ajo ka falënderuar dhe banorët e zonave të të prekura nga zjarret për përgjegjshmërinë e treguar.

“Një ndihmesë kanë dhënë dhe banorët e zonave të prekura nga zjarret, të cilët i falënderoj përzemërsisht jo thjesht për ndihmën e tyre, por për përgjegjshmërinë qytetare që kanë treguar për të mbrojtur pronën e përbashkët”, tha ndër të tjera ministrja.

Në ditët e fundit janë regjistruar disa vatra zjarri në Finiq, Lezhë, Kavajë, Pukë dhe shumë zona të tjera të vendit, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, pasi janë djegur vetëm kullota duke shtuar dyshimet se zjarret janë të qëllimshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë