Futboll

Xambrota, Hasan Shash e Karagunis në “Air Albania Stadium” për ndeshje bamirësie

“Air Albania Stadium” do të presë më 10 janar një ndeshje bamirësie, ku do të marrin pjesë disa nga ish-lojtarët e njohur të Italisë, Turqisë dhe Greqisë. Ndër emrat që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës janë italianët Xhanluka Zambrota dhe Simone Perrota, turku Hasan Shash dhe greku Jorgon Karagunis.

Një ndeshje e organizuar nga FSHF-ja dhe Sindikata e Futbollistëve nën moton “Luajmë dhe rindërtojmë së bashku!”, ku sigurisht do të jenë edhe yjet e Shqipërisë. Të ardhurat e siguruara nga biletat e shitura për këtë ndeshje do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga FSHF-ja në faqen e saj, ku mes të tjerash shkruan: “Yjet historikë të kombëtareve të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë do të zbresin në fushën e ‘Air Albania Stadium’ në datë 10 janar. Ky festival i futbollit me emrat e njohur të katër kombëtarëve, siç janë Zambrota e Perrota, Kampionë të Botës në 2006, apo Hasan Shash, i cili ishte një nga liderët e Turqisë në Botërorin e vitit 2002, që u rendit në vend të tretë, si dhe fqinjët grekë që fituan Kampionatin Europian në vitin 2004, nën dirigjimin e Karagunis, synon krijimin e një tradite të tillë në futbollin shqiptar për të afruar sportdashësit me emrat e mëdhenj të futbollit tonë dhe atij ndërkombëtar.

Italiani Zambrota, kampion bote, vjen në "Air Albania Stadium". Gazeta Si, 29 dhjetor 2019

Të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave të ndeshjes do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Ky turne organizohet nga Sindikata e Futbollit me mbështetjen e plotë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Federata e Futbollit dhe Sindikata e Futbollistëve, fton të gjithë sportdashësit në këtë festival të paharrueshëm, ku do të performojnë në fushën e blertë emra të dashur, historikë dhe kampionë të futbollit, pa harruar edhe performancën artistike të emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare. Le të bashkohemi në këtë turne për të dhënë sadopak ndihmesë për të prekurit.

Ky projekt i përgjegjësisë sociale, vjen në vazhdën e aktiviteteve të pandërprera të Federatës së Futbollit, të stafit dhe djemve e vajzave të kombëtareve shqiptare për të ndihmuar dhe lehtësuar familjet e prekura nga tërmeti. Fokusi parësor ka qenë te fëmijët. Federata e Futbollit është zotuar të ndërtojë të paktën tri shtëpi të rrënuara nga tërmeti, ose më shumë në varësi të fondeve të mbledhura. Ka nisur tashmë evidentimi i shtëpive”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë