Propozim i SI

Wuhan, tani tregun mund të vizitosh nëpërmjet një aplikacioni

Nuk ka ngelur asgjë nga tregu i peshkut me shumicë në Wuhan, i njohur gjithashtu si tregu i peshkut, i cili u mbyll në 1 janar 2020 pasi dyshohej si origjina e kalimit të Covid-19 nga kafshët tek njerëzit. Por tani atë mund ta kesh në një aplikacion.

Ishte viti 2016 kur një kthesë e çuditshme e fatit solli artistin amerikan John Craig Freeman në Wuhan si pjesë e programit të diplomacisë kulturore të Shteteve të Bashkuara. Rezultati i udhëtimit të tij ishte krijimi i një projekti fotografik të përqendruar pikërisht në tregun e peshkut të qytetit, i cili tani është bërë një aplikacion i arritshëm për të gjithë "AllWorld.io".

"Secili prej nesh, në të gjithë botën, ka dëgjuar për Wuhan gjatë muajve të fundit. Por askush, deri më tani, nuk ka arritur t’i japë një fytyrë këtij realiteti për të bërë që një foto të përkojë me vendin", shpjegojnë krijuesit e AllWorld.io, aplikacioni që paraqet vepra arti nga krijues nga e gjithë bota dhe që donin të shndërronin projektin e Freeman në diçka reale. Artisti ka bashkuar shumë fotografi të bëra gjatë vitit 2016 në qytetin kinez, duke krijuar kështu një paraqitje tredimensionale dhe virtuale të jetës së tregut. Tani të gjithë, përmes aplikacionit, mund të hedhin një sy në një nga tregjet më të mëdha të gjësë së gjallë, por kryesisht peshkut dhe prodhimeve të detit, në Kinën qendrore me shtrirjen e tij prej 50 mijë metrash katrorë dhe mbi një mijë shitës të mishit, peshkut, frutave, perimeve, kafshëve të egra dhe të gjalla.

Tregje të tilla të hapura, nuk ka vetëm në Kinë, por në të gjithë Azinë, ku shiten produkte të freskëta, pra mish, peshk, perime, fruta dhe mallra të tjera që prishen. Shikohet si një pjesë e rëndësishme e tregut për shumë prodhues të vegjël që në këtë mënyrë arrijnë të shesin pa ndërmjetës atë që prodhojnë dhe për një pjesë të madhe të njerëzve ata shesin ushqime të freskëta me çmim të arsyeshëm.

"Në një vend si Kina, 25 deri në 40 milion njerëz mbështeten në tregje të tilla dhe shitjet pa licencë për të siguruar jetesën e tyre", tregon një banor i Wuhan. Ato quhen shpesh edhe "tregje të lagësht" për shkak të faktit se shitësit, për të mbajtur ushqimin e freskët, hedhin ujë mbi produkte. Perimet pastrohen në vend, peshqit po ashtu pastrohen nga shitësi njësoj si pula dhe mishi në përgjithësi. Freeman tregon se tregje të tilla kishte pothuajse në çdo qytet dhe kishte pafund blerës të produkteve çdo ditë. Në fund të ditës ishin shumë pak për të mos thënë aspak, produkte që nuk shiteshin.

“Kur pamë për herë të parë veprën e John Craig Freeman, ishte një lehtësim. Ne e kuptuam shpejt që kjo na mungonte”, tregojnë krijuesit e aplikacionit. "Tregu i Lagësht, Wuhan" nga John Craig Freeman është pjesë e një grupi të madh veprash që dokumentojnë evolucionin e qytetit dhe kërkon të hedhë dritë mbi kulturën dhe historinë e vendit.

"Në një kohë kur shtetet po konkurrojnë të fajësojnë dështimet e politikës së shëndetit publik, qyteti i Wuhan dhe veçanërisht tregu i tij i lagësht, janë bërë delja e zezë e botës. Përdorimi i këtij qyteti antik dhe zakonet e tij lokale për arsye politike nuk bën asgjë për të zgjidhur problemin e kërcënimit të pandemive globale. Vetëm shkenca mund ta bëjë atë.” ka përfunduar Freeman.

Një ftesë, ajo e Freeman, për të eksploruar tregun pa paragjykuar.

Burimi: Corriere della Sera. Solli në shqip: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë