Histori

Winston Churchill, dritëhijet e një burri të madh shteti

Më shumë se 50 vjet pas vdekjes së tij në vitin 1965, Winston Churchill konsiderohet ende sot një nga liderët më karizmatikë dhe më të diskutuar të shekullit të njëzetë. Me energjinë dhe popullaritetin e paepur që mundi të fitonte, ai personifikoi vullnetin e Mbretërisë së Bashkuar dhe popujve aleatë për t’i bërë rezistencë kërcënimit nazist, kur bota ishte në buzë të një humnere, në vitet '40-‘41.

Për të gjithë ata që nuk kanë lexuar ende rreth tij, historiani Mauro Canali u ka dhënë përgjigje disa pyetjeve themelore rreth Winston Churchill.

Cila ishte forca e Churchill-it?

Ai e kuptoi shumë shpejt, falë një udhëtimi në Gjermani në vitin 1934, rrezikun e jashtëzakonshëm që përfaqësonte Hitleri, i cili synonte dominimin kontinental. Dhe ishte i vetmi, edhe në qeverinë e tij, që i shpalli një luftë totale, absolute, dramatike. Duke përsëritur gjithmonë, edhe kur gjithçka dukej e humbur, se nazistët nuk mund të mbështeteshin kurrë në një paqe të fshehtë, të veçantë. Prandaj, forca e tij ishte një guxim moral dhe fizik shumë i madh, i palëkundshëm (ai lëvizi në fronte, shkoi mes popullatave të bombarduara), i kombinuar me një vizion politik afatgjatë që e lejonte të kuptonte se nëse Hitleri nuk do të ishte mundur, Anglia do të mbetej e izoluar dhe në atë pikë mund të humbiste perandorinë e saj. Dhe Churchill gjithmonë vepronte në interes të perandorisë.

Por ai nuk u kufizua vetëm në mbrojtje, ai u përpoq të kundërsulmonte: dërgoi divizione ushtarësh në Afrikën e Veriut, mbështeti fort betejën detare në Atlantik dhe mbi të gjitha shpëtoi ushtrinë britanike nga katastrofa e Dunkirk, duke arritur të kthejë 300,000 ushtarë britanikë dhe 100 mijë francezë. Në fakt, ai kishte aftësi të jashtëzakonshme pune, si pak të tjerë, duke marrë parasysh edhe se kur shkoi në qeveri ishte 65 vjeç. Prandaj, forca e tij e madhe ishte një përzierje e guximit moral, fizik, vizionit të gjerë politik dhe palodhshmërisë. Por ai nuk mund të kishte qenë burrë shteti i madh, nëse nuk do të kishte pasur solidaritetin e opinionit publik anglez pas tij: populli britanik nuk do të kishte qenë kurrë i gatshëm të negocionte, ashtu si ai.

Winston Churchill, shumë i ri, në vitin 1974

Sa e rëndësishme ishte të kishe një perandori?

Fitorja britanike nuk mund të kuptohet pa praninë e një grupi pothuajse të pashtershëm forcash që vinin nga e gjithë bota. Mbretëria e Bashkuar, në fakt, hyri në luftë me të gjithë perandorinë e saj dhe jo vetëm me një shtet. Për shembull, një nga divizionet që mundi gjeneralin Graziani në Afrikë ishte indian dhe një tjetër kanadez. Sidoqoftë, kjo forcë e madhe ndikimi duhej të organizohej dhe Churchill zgjodhi me kujdes gjeneralët e lartë britanikë për këtë detyrë. Edhe pse ai kurrë nuk ia delegoi udhëheqjen e konfliktit ushtarakëve; ai ishte një udhëheqës luftëtar dhe vendimet më të rëndësishme i merrte gjithmonë në mënyrë të pavarur.

Pse i humbi zgjedhjet në 1945?

Britania e Madhe doli nga Lufta e Dytë Botërore fitimtare, por e rraskapitur. Ai kishte vënë të gjithë pasurinë e tij në konflikt, mjafton të thuhet se kodi ushtarak ishte në fuqi në fabrika gjatë viteve të luftës. Njerëzit e thjeshtë donin të linin pas kujtimin e kaq shumë dhimbjeve dhe sakrificave dhe kishin dalë të varfër nga konflikti. Kështu në zgjedhjet e vitit 1945, proletariati mbi të gjitha erdhi me nevojën për të rimarrë një minimum të mirëqenies dhe mbrojtjes sociale dhe dekretoi fitoren e Partisë së Punës, tradicionalisht në favor të politikave sociale më të drejta. Por disfata e konservatorëve nuk ndikoi në prestigjin apo madhështinë personale të Churchillit. Dhe në çdo rast, Partia e Punës kishte qenë pjesë e bashkimit të shenjtë kundër Hitlerit: ajo kurrë nuk e kishte kundërshtuar politikën e luftës të Churchillit deri në fund.

Plazhi, i njohur si Omaha pas Ditë D,(e cila njihet se pushtimi më i madh në det në histori), 6 qershor 1944

Çfarë ka mbetur nga trashëgimia e Churchillit?

Në Mbretërinë e Bashkuar sot, në imagjinatën kolektive angleze, Churchill është ende një mit, një baba i vendit. Sidomos mes atyre mbi 40 vjeç ai është një personazh i klasit të parë. Sigurisht, së fundmi dikush i ka njollosur disa statuja duke e quajtur racist. Por Churchill nuk mund të kufizohet me kaq, është një nënvlerësim. Sot historiografia, pas momentit të mitit, kërkon hije, bën pyetje, sheh disfatat dhe jo vetëm fitoret e personazhit. Por nuk vë në dyshim madhështinë e tij. Churchill në fakt ka treguar se në orën më të errët mund të luftosh dhe të humbësh, qoftë edhe në dukje: gjëja e rëndësishme është të kesh guximin të vazhdosh, të mos dorëzohesh. Dhe kjo mbeti në trashëgiminë e përbashkët të britanikëve.

Cilët burra shteti janë të krahasueshëm me Churchill?

Vetëm presidenti i Shteteve të Bashkuara, Franklin Delano Roosevelt, i cili në fakt lëvizi si ai në një strategji planetare të konfliktit dhe kishte paskrupullozitetin e tij në aleancat ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë