Ne rrjet

Wesley Clark: Administrata Biden do t’i kushtojë vëmendje Ballkanit

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark thotë se një njohje e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, është rruga drejt përparimit dhe integrimit dhe se kjo sjell përfitime për të dyja vendet. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Clark thotë se administrata e re e Presidentit Joe Biden, do ta shtojë vëmendjen ndaj Evropës Juglindore dhe Ballkanit. Në një bisedë me kolegen Keida Kostreci, gjenerali në pension tha se zhvillimet e fundit politike në Amerikë, tregojnë forcën e demokracisë dhe jo dobësinë e saj.

Zëri i Amerikës: Gjeneral Clark, në një letër drejtuar presidentit të Serbisë Aleksandar Vucic, presidenti Joe Biden foli për njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë Presidenti i Serbisë tha se kjo nuk do të ndodhë dhe se qëndrimi i tij për Kosovën nuk ka ndryshuar. A mendoni se një njohje e ndërsjellë do të jetë e mundur gjatë administratës së zotit Biden?

Wesley K. Clark: Mendoj se e ardhmja e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dhe nëse do të ketë njohje reciproke varet nga udhëheqja në Serbi. Mendoj dhe shpresoj që udhëheqja në Serbi ta kuptojë rëndësinë e e një përafrimi më të madh me Perëndimin, dhe kjo do të thotë njohje e Kosovës si shtet i pavarur. Kjo do të thoshte lënia pas e së shkuarës dhe vështrimi nga e ardhmja. Kam takuar njerëz të mrekullueshëm nga Serbia, ata janë shumë të lidhur me vlerat perëndimore dhe shpresoj që udhëheqja serbe të mund të shohë se është në interesin e saj dhe të ndjejë dëshirën për një lidhje më të fortë me Perëndimin dhe kjo do të thotë njohje e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Me administratën e re Biden që thotë se normalizimi duhet të ketë njohjen e ndërsjellë, çfarë duhet bërë për të arritur për të bindur Serbinë për një gjë të tillë?

Wesley K. Clark: Gjithmonë pyetja ka qenë nëse Serbia do që të shikojë më shumë nga Perëndimi apo nga Lindja. Kështu ndërsa administrata e zotit Biden rikthen kahjen tradicionale të politikës së jashtme amerikane, ne do të kërkojmë koordinim më të ngushtë afërt me aleatët tanë evropianë. Ne e dimë që BE-ja është e rëndësishme për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në botë dhe aftësinë tonë për të punuar me Kinën. Kështu që ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të forcuar Bashkimin Evropian dhe kjo do të thotë se do të jetë gjithnjë e më shumë në interesin e Serbisë që të orientohet drejt perëndimit. Mendoj se kjo është shtysa më e madhe për Serbinë. Ku është përfitimi më i madh për njerëzit e saj? Është e qartë që do të jetë Perëndimi.

Zëri i Amerikës: Administrata e mëparshme, pavarësisht nga metodat e saj, e solli çështjen e Serbisë dhe Kosovës në qendër të vëmendjes, me takimin e udhëheqësve të dy vendeve në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar. Çfarë mund të bëjë administrata e re për ta shtuar këtë vëmendje dhe a mund të presim një angazhim më të madh të saj?

Wesley K. Clark: Mendoj se shtysa ekonomike është diçka pozitive dhe e dobishme. Përpjekja tjetër e Shtëpisë së Bardhë (në administratën Trump) ishte për marrëdhënien me Izraelin, gjë që gjithashtu është pozitive. Mendoj se do të shohim një angazhim shumë më të madh nga Shtetet e Bashkuara për të punuar me aleatët dhe miqtë evropianë dhe unë mendoj se do të shohim një përpjekje për të ndihmuar Evropën që të përmirësojë situatën e saj, që të forcojë programet e saj të investimeve dhe stimujt ekonomikë drejt Lindjes. Po të shikojmë historinë e kuptojnë se thelbi i rritjes ekonomike dhe inovacionit është në Perëndim dhe se përfitimet e përafrimit me Perëndimin do të vijnë.

Zëri i Amerikës: Ju folët për vendimin që duhet të marrë Serbia dhe si duhet të angazhohen Shtetet e Bashkuara dhe të Bashkëpunojnë me BE-në. Një nga pyetjet që ka shtruar Serbia është se çfarë do të japë Kosova, ndërsa asaj (Serbisë) po i kërkohet njohje reciproke. Si do t’i përgjigjeshit një arsyestimi të tillë?

Wesley K. Clark: Mendoj se një njohje e ndërsjellë është në interes të të dy vendeve nga ana kulturore historike, ekonomike, të dyja do të përfitonin nga një gjë e tillë. Kështu që unë nuk mendoj se është çështje ku mund të thuhet “Unë të jap këtë, atëherë çfarë do të më japësh në këmbim?” Mendoj se është përfitim i ndërsjellë për të dy vendet. Armiqësia dhe tensionet nuk janë në interesin e askujt. Pra përfitimi për Serbinë është përafrimi më i madh me Perëndimin. Përfitimi për Serbinë është fundi i uljes së tensioneve me Kosovën. Po ashtu edhe për Kosovën. Kështu që unë mendoj se Serbia përfiton dyfishin sepse Kosova tashmë është në një linjë me Perëndimin. Kështu që unë shpresoj që udhëheqja në Serbi ta shohë këtë ashtu siç është: Një hapje e shkëlqyer nga Shtetet e Bashkuara ndaj Serbisë dhe unë inkurajoj popullin e Serbisë që të shkojnë përpara dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Zëri i Amerikës: Me gjithë sfidat që përballen Shtetet e Bashkuara, a parashikoni një rritje të angazhimit në Ballkan? Jo sepse nuk ka përparësi më të rëndësishme, por sepse të pakta janë rajonet ku angazhimi sjell më shumë përfitim…

Wesley K. Clark: Mendoj se keni të drejtë sepse po të shikosh historinë e konkurrencës Lindje-Perëndim, po të hedhësh një vështrim deri tek Lufta e Ftohtë, sfidat kryesore dhe përparimi që është arritur, gjithmonë ka qenë në periferi. Unë jam shumë i kënaqur që administrata dhe zoti Putin kanë rënë dakord të zgjasin traktatin e ri START për pesë vjet. Mendoj se kjo është e rëndësishme. Negociatat dhe marrëdhënëniet me kundërshtarë ideologjikë dhe kulturorë si Kina dhe Rusia do të kenë gjithmonë një vend qendror në diplomacinë amerikane. Por përfitimet më të mëdha dhe ndikimi më i madh në këto marrëdhënie, ka qenë në të vërtetë në periferi. Dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kuptuar këtë. Ne e dimë që periferia është e rëndësishme dhe ne e dimë që kjo pllakë tektonike e njerëzimit që është Ballkani ku Islami, Krishterimi dhe Katolicizmi janë gërshetuar historikisht që nga Perandoria Osmane, Perandoria Romake dhe deri tek Greqia dhe Maqedonia, ka pasur gjithmonë përplasje dhe konflikt shpesh të hapur në këtë rajon të Evropës. Dhe ne e dimp që ky rajon është shumë i rëndësishëm.

Kujtesa historike është e gjatë në këtë rajon. Dhe mund të duket për disa sikur është rajon i parëndësishëm, por në fakt aty pikërisht është ndikimi. Aty kanë filluar konfliktet dhe aty mund të jetë efekti më i madh i diplomacisë amerikane.

Zëri i Amerikës: Si e parashikoni qasjen e administratës së re amerikane ndaj këtij rajoni?

Wesley K. Clark: Mendoj se administrata do të punojë nga afër (me vendet) përmes ambasadorëve të saj në rajon, do të negociojë mes ambicieve dhe interesave të ndryshme të vendeve. Ne jemi të inkurajuar që u zgjidh çështja e emrit të Maqedonisë është zgjidhur. Është diçka me të vërtetë e rëndësishme. Është bërë shumë përparim në këto 20 vjet, por mbetet shumë për të bërë. Unë e di që kjo administratë do ta konsiderojë Evropën Juglindore dhe Ballkanin me shumë përparësi.

Zëri i Amerikës: Vitet e fundit për shkak të politikës së brendshme në Shtetet e Bashkuara dhe për shkak të valës së populizmit në përgjithësi në botë, ka qenë e vështirë për SHBA-në të flasë për vlera demokratike për shembull, ose përpjekje anti-korrupsion, ose shtyp të lirë. A parashikoni të ndryshojë kjo prirje?

Wesley K. Clark: Mendoj se në fakt antikorrupsioni ka qenë vazdimisht në qendër të vëmendjs për Shtetet e Bashkuara. Çdo ambasador amerikan e nxit qeverinë e vendit ku shërben të forcojë masat anti-korrupsion, sepse ne e e kemi të qartë se korrupsioni është gjithmonë destabilizues për demokracitë, minon vullnetin e njerëzve dhe shkatërron besimin e njerëzve tek qeveria, tek vota e tyre e kështu me radhë, dhe si i tillë duhet të trajtohet. Nuk kam parë zbehje të angazhimit të diplomacisë amerikane në këtë drejtim. Besoj se kjo do të vazhdojë. Mendoj gjithashtu se do të shohim një shtim të theksit tek demokratizimi dhe të drejtat e njeriut me administratën e zotit Biden. Unë mendoj se ambasadorët e SHBA-së, diplomacia amerikane në përgjithësi, do t'u kërkojë të respektojnë standardet e kushtetutave të tyre dhe të mbajnë premtimet që u bënjë popujve të tyre. Mendoj se administrata Biden do ta vërë theksin më shumë tek vlerat politike, vlerat njerëzore dhe kulturore.

Zëri i Amerikës: Një nga pyetjet ose çështjet e ngritura nga publiku i këtyre vendeve gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve këtu, ishte nëse e kanë ende Shtetet e Bashkuara autoritetin moral t’u japin leksione vendeve me më pak traditë demokratike, me atë që po shohim të ndodhë këtu. Cila do të ishte përgjigjia juaj?

Wesley K. Clark: Të gjitha institucionet njerëzore janë në thelb të brishta. Diktaturat janë të brishta. Ato kanë një frikë të vazhdueshme bfa njerëzit e tyre. Po të shikosh, Rusinë, Bashkimin Sovjetik nën Stalinin, dhe spastrimet e njëpasnjëshme, ato u ndërmorën nga frika, nga dyshimet e tij tek besnikëria e njerëzve. Kina mund të duket si një vend i fortë dhe i qëndrueshëm, por si çdo vend, si çdo institucion ka presione dhe dinamikë të brendshme. Pyetja është vetëm nëse shfaqen hapur apo jo.

Në demokraci, forca jonë është që i shfaqim këto tensione dhe presione dhe interesa konkurruese hapur, ku ato mund të zgjidhen në mënyrë paqësore jo përmes vrasjeve në mesnatë ose masave të tjera që shpesh përdoren në regjime autoritare. Kështu që unë mendoj se ajo që po shohim në Shtetet e Bashkuara sot, ajo që keni parë që prej 6 Janarit, nuk tregon dobësinë e demokracisë, por forcën e saj, si për shembull që anëtarët e partisë së vetë presidentit në Xhorxhia e kundërshtuan atë dhe respektuan ligjin, në vend që të dorëzoheshin para prirjeve të tij autokratike. Dhe në Kongres, provat po paraqiten dhe po shfaqen popullit Amerikan dhe botës. Ne nuk po e fshehim këtë, po bëhet publikisht. Populli amerikan vendos për të ardhmen e tij përmes përfaqësuesve të vet të zgjedhur. Dhe është e vërtetë që ka disa prej këtyre përfaqësues të zgjedhur që shqetësohen për të ardhmen e tyre politike, ashtu siç duhet të jetë në fakt, sepse përfaqësuesit amerikanë duhet të përfaqësojnë votuesit e tyre. Ne e dimë se në sistemin amerikan duhet të përballemi edhe me ndikimin e medias sociale, dizinforminin, me këto algoritme që i tërheqin njerëzit drejt teorive të konspiracionit, nëse nuk gjejnë një mënyrë t’i shmangen. Shumë nga këta njerëz e kanë pranuar publikisht se ishin mashtruar. Dhe kështu fakti që e gjithë kjo del në dritë nuk është një shenjë dobësie, është shenjë force. Është aftësia e sistemeve demokratike për të qenë vetë-korrigjuese që i bën ato të qëndrueshme. Pra, ajo që duket e brishtë nga jashtë, në të vërtetë ka një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme të brendshme. Ajo që duket e fortë nga jashtë, mund të jetë në fakt shumë e dobët.

Zëri i Amerikës: Por dikush me një pikëpamje më pesimiste do të thoshte për shembull se ky gjyq (ndaj zotit Trump) për fajësimin dhe gjithçka që ndodhi pas gjashtë janarit do të keta pasoja në vitet në vazhdim. Është e qartë se ju përqafoni një pikëpamje më optimiste…

Wesley K. Clark: Unë e shoh nga një këndvështrim optimist sepse besoj në forcën e popullit amerikan dhe institucioneve. Demokracia kalon përmes cikleve të ndryshme. Shtetet e Bashkuara kanë kaluar tre cikle kryesore që nga vetë Lufta Civile në vitet 1860. Kishim Epokën e Artë, epokën progresive që mbaroi rreth vitit 1980 në të vërtetë, dhe pastaj kishim epokën e Reganit për 40 vjet. Dhe çdo periudhë sjell përparimin e saj dhe pastaj ka ekzagjerimet e veta dhe pastaj ka një lëvizje korrigjuese. Pra, ajo që po shihni në ngritjen e së majtës amerikane, paralajmëron fundin e epokës së Reaganit. Presidenti ynë i fundit (Donald Trump) përfitoi nga të gjitha forcat e ndryshme ekonomike dhe shoqërore, forcat e imigracionit, të privatizimit të tepruar e kështu me radhë, për të krijuar një bazë të fortë mbështetësish me grupeve të caktuara të njerëzve dhe nëse kjo nuk trajtohet me sukses nga sistemi politik Amerikan, do të ketë alternativa të tjera. Por mendoj se po ta vësh në kontekstin historik, demokracia fiton. Është shprehja më e qëndrueshme e dëshirave të zemrës njerëzore për liri dhe për vetë-shprehje, dhe ato dëshira të zjarrta mund edhe të shtypen me force, por ato do të rishfaqen gjithmonë. (VOA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë