Futboll

Wenger dëshiron të ndryshojë pozicionin jashtë loje

Modaliteti i aplikimit të sistemit VAR mbetet temë e nxehtë (sidomos për faullet me dorë), ku ka nga ata që mendojnë të ndryshojnë rregullin e pozicionit jashtë loje, duke u kthyer pas në kohë për të shmangur situatat në limit. Arsene Wenger, tashmë drejtues në FIFA, synon të rivendosë konceptin e dritës, domethënë një distancë minimale midis mbrojtësit e sulmuesit, për të përcaktuar një situatë pozicioni jashtë loje.

Propozimi ish-trajnerit, aktualisht Shef i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA (organi përgjegjës për mbikëqyrjen e rregullave të lojës së futbollit), ka si synim shmangien e të gjithë situatave në limit, kur një pozicion jashtë loje quhet ose jo për punë milimetrash, ndonjëherë gjysmë këmbe.

Ideja e Wenger, siç raportohet nga Times, do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit Ndërkombëtar të IFAB në 29 shkurt dhe në fakt ka marrë aprovimin e presidentit të Uefa Ceferin, i cili jo më larg se dy muaj më parë kishte deklaruar: “Nevojitet një tolerancë 10-20 centimetra në pozicionin jashtë loje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë