Bota

Washington, nis gjyqi i dytë ndaj ish-Presidentit amerikan Donald Trump

Në Senatin amerikan filloi të martën pasdite gjyqi i dytë ndaj ish-Presidentit Donald Trump. Ai akuzohet për nxitje të rebelimit një muaj më parë duke u kërkuar mbështetësve të tij të përballen me ligjvënësit në Kapitol ndërsa ata po çertifikonin fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit 2020.

Ligjvënësit demokratë që shërbejnë si prokurorë e filluan paraqitjen e çështjes duke treguar video të mbështetësve të ish-Presidentit Trump që sulmonin dhunshëm policinë e Kapitolit më 6 janar, pasi ai i kishte inkurajuar gjatë një fjalimi që të "luftonin fort" për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje më 3 nëntor.

Videoja tregonte mbështetësit e ish-Presidentit Trump duke rrëzuar barriera, duke goditur oficerët e policisë dhe në një moment duke i thënë njërit prej tyre se "ne ua kalojmë nga numri, jemi një milion me një".

Protesta u kthye në një përplasje të dhunshme. Rreth 800 mbështetës të zotit Trump sulmuan autoritetet e Kapitolit, thyen dyer e dritare, plaçkitën disa zyra të Kongresit dhe u përleshën me policinë. Si pasojë pesë persona mbetën të vdekur, mes tyre një oficer i policisë së Kapitolit, si dhe një protestuese e cila u qëllua nga një oficer policie.

100 senatorë, 50 për secilën palë, të cilët do të shërbejnë si anëtarë të jurisë gjatë procesit gjyqësor në Senat, ndodhen në një pozicion të pazakontë. Shumë prej tyre ishin dëshmitarë të kaosit të 6 janarit, ditë gjatë së cilës u detyruan të largohen nga kjo dhomë e Kongresit për arsye sigurie.

Që ish-presidenti të shpallet fajtor mbi akuzën e ngritur do të duheshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Kongresit, ose demokratëve do t'u nevojiteshin votat e 17 republikanëve duke e marrë të mirëqenë që të 50 senatorët demokratë do të votojnë për shpalljen e tij fajtor.

Në këto kushte, sipas një artikulli të Zërit të Amerikës, është pothuajse e garantuar që Senati do të votojë për lirimin nga akuza të ish-Presidentit Trump, ashtu sikundër një vit më parë kur ai u akuzua se i kishte bërë presion presidentit të Ukrainës që të siguronte informacione dëmtuese kundër zotit Biden, përpara zgjedhjeve të nëntorit të kaluar.

Një javë pas sulmit në Kapitol, Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 232 vta pro dhe 197 kundër, për ngritjen zyrtarisht të akuzës ndaj zotit Trump. 10 republikanë iu bashkuan të 222 demokratëve, duke akuzuar zotin Trump për "nxitje rebelimi".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë