Politike

Wadephul: Po ta konfirmojë ODIHR reformën zgjedhore, plotësohet kushti

Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johann David Wadephul, i ka bërë thirrje Shqipërisë që të arrijë një konsenus në Këshillin Politik për reformën zgjedhore. Deklarata e tij erdhi pas takimit që ai pati në Berlin me Ministrin në detyrë për Punë të Jashtme, Gent Cakaj.
Wadephul i tha DW në përfundim të takimit, sot në Berlin, se Gjermania e mbështet Shqipërinë në plotësimin e gjashtë kushteve të vëna nga Bundestagu. Por ai shtoi se ka ende për të bërë. “Kthejuni konsensusit në Këshillin Politik. Dhe jepini ODIHR-it mundësinë që të vlerësojë ndryshimet që do të arrihen në Këshillin Politik për listat zgjedhore. Vetëm nëse thotë ODIHR-i se reforma zgjdhore është në përputhje të plotë me kriteret e OSBE/ODIHR-it, atëherë edhe ne do ta kemi të lehtë që të themi se është plotësuar edhe kushti i reformës zgjedhore."
Cakaj ndodhet në Berlin për një vizitë dyditore për të lobuar për hapjen e Konferencës së Parë ndërqeveritare. Deri tani ai është takuar edhe me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Çështje të Evropës, Gunther Krichbaum, dhe me Ministrin për Cështje të Evropës, Michael Roth. /DW


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë