"Nëse arrijmë një marrëveshje me Kosovën, Serbisë duhet t’i garantohet se do të bëhet anëtare e BE-së në vitin 2025. Më vjen të buzëqesh sa herë që dëgjoj se si njerëzit tek i thjeshtojnë gjërat ...Unë do t'i jap Kosovës tre fshatra dhe do t’i marr në këmbim gjashtë të tjerë.” Edhe pse askush nuk e priste, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, zgjodhi ta niste intervistën më agjencinë e lajmeve “Reuters” me këtë paralajmërim për Bashkimin Europian. Duke folur nga pallati presidencial në Beograd, Vuçiç qartësoi se nuk do të nënshkruante asnjë marrëveshje me shqiptarët e Kosovës, nëse vendit të tij nuk i garantohej hyrja në Bashkimin Europian. Paralajmërimi i tij vjen pak anulimit të takimit me Presidentin Hashim Thaçi dhe pritjes me protesta në Kosovë gjatë fundjavë së shkuar. Presidenti serb sinjalizoi se negociatat me Prishtinën kanë hyrë në një fazë tejet të vështirë dhe mund të zgjasin deri në 10 vjet, për shkak të dallimeve dhe mosmarrëveshjeve të shumta mes dy vendeve.
"Nëse do të arrijmë ndonjëherë një pakt me Prishtinën, do të jetë i përgjithshëm, që do të përfshinte jo vetëm marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe një rezolutë të mirëpërcaktuar të rrugës sonë të BE-së ", theksoi ndër të tjera kreu i shtetit serb.
Marrëveshja për shkëmbimet e territoreve, e cila po diskutohet veçmas si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, do t'i jepte Serbisë kontrollin mbi Veriun e Kosovës të banuar kryesisht nga serbët. Në këmbim Prishtina do të fitonte kontrollin e komunave jugore serbe të banuara kryesisht nga shqiptarët. Shtetet e Bashkuara dhe disa zyrtarë të BE kanë thënë se nuk do ta kundërshtojnë ratifikimin e një marrëveshjeje të tillë mes dy vendeve, por Gjermania ka hedhur poshtë idenë duke argumentuar se ajo mund të ringjallë konfliktet e vjetra në Ballkan.
"Është e pamundur të kemi një marrëveshje përfundimtare pa mbështetjen e Gjermanisë, Rusisë, Shteteve të Bashkuara ose Francës," tha Vuçiç, duke treguar edhe një njëherë se miratimi i paktit Kosovë-Serbi nuk do të kalonte kurrë pa bekimin e “vëllezërve” të mëdhenj nga Rusia. Marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë normalizuar pasi shumica e serbëve vazhdojnë ta shohin Kosovën si djepin e kombit dhe besimit të krishterë ortodoks dhe Beogradi i mbështetur fuqimisht nga Moska e konsideron ende një pjesë integrale të saj. Presidenti serb theksoi gjithashtu se fushata për zgjedhjet parlamentare të Parlamentit Europian në maj dhe rritja e popullaritetit të partive politike të krahut të djathtë në Europë mund të errësojnë perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje midis Beogradit dhe Prishtinës. "Vërtet mendoni se qytetarët e BE-së do të donin të dëgjonin për perspektivat e anëtarësimit të Serbisë gjatë fushatës parlamentare?" pyeti ai. "Tani për tani nuk e dimë se ku janë kufijtë tanë. Por askush në rajon nuk duhet të ketë frikë nga asnjë marrëveshje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, përkundrazi, pakti Beograd-Prishtinë do ta bënte rajonin më të fuqishëm, më të qëndrueshëm dhe më tërheqës", përfundoi Vuçiç.
Pothuajse të gjitha vendet perëndimorë kanë këmbëngulur për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, e cila do t'i mundësonte Serbisë hyrjen në BE dhe Kosovës që të bëhej anëtare e Kombeve të Bashkuara. Por a do të jetë Serbia pjesë e Bashkimit Europian pas një dekade, ashtu siç pretendon Presidenti Vuçic? Cilat janë pengesat që qëndrojnë në rrugën europaine të Beogradit?
Kur do të anëtarësohet Serbia në BE?
Një zyrtar i lartë austriak tha se para disa muajsh se Serbia dhe Mali i Zi mund të bëhen pjesë e BE-së në vitin 2025. Serbia aplikoi për anëtarësim në dhjetor të vitit 2009 dhe mori statusin e vendit kandidat në mars të 2012-ës. Pas nisjes së negociatave marartonë me Kosovën, Beogradi hapi zyrtarisht kapitujt për integrimin.
Gjatë një vizite në Serbi, komisioneri i zgjerimit Johannes Hahn i kërkoi Presidentit serb të zbatojë "reforma të vështira" dhe të normalizojë njëherë e mirë lidhjet me Kosovën. Hahn filloi një turne në Serbi dhe Mal të Zi më 7 shkurt, një ditë pasi Komisioni Europian zbuloi strategjinë e re për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe Serbi.
"Reformat do të jenë të vështira dhe procesi i pranimit në BE nuk është një udhëtim i lehtë për Serbinë," tha Hahn gjatë një konference për shtyp me presidentin serb. Hahn deklaroi gjithashtu se Beogradit i nevojitet një "shtytje e fortë politike" për të zbatuar reformat e vështira mbi sundimin e ligjit, drejtësinë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Vuçiç nga ana e tij tha se kishte një "zinxhir pengesash" në rrugën e Serbisë për në BE.
Por shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka këmbëngulur se viti 2025 nuk ishte alternative e arritshme për Serbinë. "Është një perspektivë jorealiste për përfundimin e procesit të pranimit në BE të republikës serbe”, deklaroi ajo.
"Barriera" ruse
Beogradi po mundohet të balancojë prej kohësh afrimin me Rusinë dhe negociatat me Brukselin. Serbia po përpiqet të lëvizë drejt anëtarësimit në BE, por njëkohësisht të forcojë lidhjet tradicionale me Moskën. Vuçiç po angazhohet për balancimin e këtyre lidhjeve duke e çuar Serbinë drejt modelit të premtuar nga BE-ja për standarde më të larta jetese, punë pa viza dhe udhëtim në të gjithë Europën, si edhe heqjen e barrierave tregtare.
Por për të mbajtur anën e Rusisë, Serbia refuzon të anëtarësohet në NATO dhe premton ruajtjen e neutralitetit ushtarak në rajon. Duke folur për miqësinë serbo-ruse, ministri i Jashtëm Daçiç tha së fundmi se: "Perëndimi mund të blejë gjithçka në botë përveç miqësisë dhe vëllazërisë së Serbisë dhe Rusisë. Moska ka qenë, mbetet dhe do të vazhdojë të jetë partneri ynë strategjik. Ne nuk mund të mbrojmë veten dhe as interesat tona pa ndihmën e Rusisë, ndaj do të flasim me ta për çdo rast dhe çdo vendim”.
Madje, në kulmin e debatit për ndryshime kufijsh në Ballkan, Serbia ka marrë përforcimin e parë të flotës ushtarake ajrore nga Kremlini. Aktualisht, Beogradin e thotë se është në bisedime me Rusinë edhe për blerjen e helikopterëve luftarakë dhe për operacione kërkim-shpëtimi, por edhe për sisteme të mbrojtjes kundërajrore. Moska, sipas Shteteve të Bashkuara, ka në Serbi të maskuar si qendër humanitare, bazën më të madhe ushtarake dhe të spiunazhit në rajon. Nga ana tjetër, falë mbështetjes së Rusisë, Serbia siguroi një levë të fuqishme diplomatike në arenën ndërkombëtare. Moska rriti vazhdimisht ndikimin në Ballkan, falë koncesioneve periodike, korruptimit të zyrtarëve vendas dhe lidhjet ekonomike dhe politike me vendet e tjera të rajonit.
Burimet: "Reuters", "Bloomberg"
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.