Kosova

Vuçiç pas takimit me Rutte dhe Bethel: Shpreha shqetësimet për papërgjegjshmërinë e Prishtinës. Asociacioni, parakusht për çdo gjë

Nga Gazeta 'Si'-Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë të martë(4 korrik) ka dhënë detaje në lidhje me takimin e zhvilluar një ditë më parë me kryeministrat e Holandës dhe të Luksemburgut, Mark Rutte dhe Xavier Bethel.

Vuçiç është shprehur se në këtë takim ai ka shprehur "shqetësimin e tij për shkak të situatës në Kosovë e Metohi dhe shkallës së papërgjegjshmërisë së Prishtinës."

“I kam premtuar se Serbia do të bëjë çmos për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, theksoi Vuçiç.

Ai theksoi se në karrierën e tij politike nuk kishte parë një papërgjegjshmëri të tillë për çështjen e Kosovës dhe Metohisë dhe se Beogradi do t’i informonte partnerët për këtë.

Vuçiç ndër të tjera ka thënë se marrëveshja e Brukselit, e cila është ende në fuqi, nuk është zbatuar në pjesën e saj më të rëndësishme, që është themelimi i Asociacionit i komunave me shumicë serbe.

Ai tha se themelimi është parakusht për çdo gjë tjetër dhe se në këtë fazë, siç tha ai, beson se mund të thotë se nuk ka as shpresë që së shpejti të formohet Asociacioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë