Kosova

Kurti: Mosnënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë, gabim i madh. Koordinimi me ndërkombëtarët është obligim

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut tha se marrëdhënia me ndërkombëtarët pavarësisht masave ndëshkuese të BE, është e rëndësishme lidhur me tensionet në veri.

Kurti theksoi se qeveria e tij pavarësisht se ka zgjedhur të zbatojë ligjin dhe kushtetutën, është në koordinim të vazhdueshme me ndërkombëtarët.

“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 17 marsit, për të cilën dëshirojmë që të zbatohet në plotësi, pa vonesa dhe pa kushte”, deklaroi kryeministri.

Ai tha gjatë fjalës së tij se gabimi më i madh ishte mosnënshkrimi i saj.

“Vështirësitë që kemi është mungesa e implemetimit të marrëveshjes dhe besoj se fillon duke lënë këtë proces të kalojë pa nënshkrim nga të dyja palët. Ky ishte një gabim i madh sepse mosnënshkrimi i marrëveshjes ka hapur derën për shkelje. Ajo që duhet është implementim i shpejtë i të gjitha pikave pa parakushte ose vonesat. Kjo besoj se është zgjidhja dhe duhet të intensifikojmë dialogun për implementim. Nuk duhet të heqim dorë nga marrëveshja."

Kurti foli edhe për shpalljen e dy organizatave terroriste duke theksuar se vendimi ishte detyrim i Qeverisë së Kosovës.

“Sa i përket shpalljes së organizatave 'Mbrojtja Civile' dhe krahut të saj ‘Brigada e Veriut’, terroriste, ishte obligim i yni si Qeveri e Kosovës duke pasur parasysh informacionet që kemi pasur dhe veprimet e organeve tona të sigurisë, si dhe të gjitha të dhënat që i ka pasur edhe inteligjenca e Kosovës. Para se ta shpallim këto organizata terroriste këtë e ka paralajmëruar në një konferencë për media, ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe vetëm pas disa ditësh ne e kemi bërë shpalljen e tyre, organizata terroriste".

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se do të ketë takim me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak sot pasdite. Deri tani ishte raportuar se takim do të kishte vetëm presidentja Vjosa Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë