Lajme

Vuçiç: Pajtohem për rishikimin e kufijve me Kosovën

Debatet në Kosovë për sa i përket çështjes së kufijve kanë agravuar shumë ditët e fundit. Ka pasur përplasje të shumta për shkëmbimin e territoreve mes krerëve të Kosovës.

Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka surprizuar me deklaratën e tij, pasi ka thënë hapur se preferon ndarjen e Kosovës përgjatë vijave etnike.

“Unë mbështes ndarjen e Kosovës, kjo është politika ime. Të kesh një territor që askush nuk di si ta trajtojë, ose që shërben gjithnjë si burim konflikti të mundshëm, nuk është diçka e mirë”, tha Vuçiç.

Kështu Serbia do të donte të kishte të sajën Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe, ndërsa Thaçi flet për bashkim me Kosovën të Luginës së Preshevës me shumicë shqiptare.

Presidenti serb ka shtuar më tej se nuk mund të flasë se për çfarë po bisedon me shqiptarët e Kosovës, sepse kjo do të zbulonte kartat e Serbisë në bisedime.

Vuçiç ka sqaruar edhe se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë një pako gjithëpërfshirëse, e cila nuk është aq e lehtë dhe e thjeshtë sa disa e mendojnë. 

Ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ai i cili hodhi tezën e rishikimit të kufijve të Kosovës me Serbinë. Kundër Thaçit ka dalë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili thotë se kufijtë nuk duhet të preken, pasi ato janë vendosur me luftë dhe për popujt e Ballkanit luftërat kanë qenë tragjike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë