Kosova

Vuçiç: Kosova po armatoset në mënyrë të paligjshme

Nga Gazeta 'Si'- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, akuzoi fuqitë perëndimore për armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe opozitën e mediat pro opozitës në Serbi se janë në shërbim të këtyre fuqive.

Gjatë një veprimtarie në Beograd, ai tha se është duke menduar se “si të fillojnë hetime për armatosjen e të ashtuquajturës Forca e Sigurisë së Kosovës dhe atyre që po ndihmojnë në këtë armatosje, në kundërshtim me Rezolutën 1244. Dua të hetoj se kush e shkeli Kartën e Kombeve të Bashkuara, dhe si guxuan ta bëjnë atë ... Po mendoj si të mos e sjell vendin në pozitë të vështirë dhe njëkohësisht të ruhet e drejta ndërkombëtare”, tha ai.

Më herët gjatë këtij muaji Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të raketave Javelin për Kosovën, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Presidenti serb i cili e kishte cilësuar njoftimin “një zhgënjim të madh për Serbinë", sulmoi mediat pro opozitare dhe opozitën në Serbi se “nuk duan t’ia dinë çfarë po i bëjnë të huajt dhe shqiptarët Serbisë”.

“Juve ju intereson se si ta ndëshkoni Serbinë, sepse disa serbë deshën t’i mbronin vatrat e tyre”, tha presidenti serb i pyetur nga gazetarët për ngjarjet në fshatin Banjskë në veri të Kosovës me 24 shtator të vitit të kaluar, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë