Analize

Me vlerë 75 milionë dollarë, si funksionojnë raketat kundërtank ‘Javelin’ që Kosova do të blejë nga SHBA?

Nga Gazeta ‘Si’- Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të raketave Javelin për Kosovën, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh. Në njoftim thuhet se Kosova ka kërkuar blerjen e 24 sistemeve dhe 246 raketave Javelin FGM-148F.

Lajmi u konfirmua fillimisht nga ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili ia komunikoi vendimin presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë takimit të tyre në Beograd. Vuçiç nuk vonoi të reagonte duke e konsideruar lajmin një zhgënjim të madh. Megjithatë, shtoi se Serbia, së bashku me SHBA-në do të punojnë në ruajtjen e raporteve serbo-amerikane.

Tani, kërkesa i shkon Kongresit amerikan që shqyrton shitjen e armëve për vendet e huaja.

Në këtë shitje do të përfshihen gjithashtu edhe elementët logjistikë të stërvitjes dhe përdorimit të tyre.

“Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetin afatgjatë të mbrojtjes së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial duke përmbushur nevojat e saj të mbrojtjes kombëtare”, thuhet në njoftimin e agjencisë së Departamentit të Shtetit.

Sipas njoftimit, shitja e propozuar e sistemeve Javelin nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.

Por çfarë janë raketat amerikane “Javelin”?

Këta raketa janë bërë tepër të njohura gjatë luftës në Ukrainë duke u shndërruar në ‘makthin’ e tankeve dhe mjeteve të blinduara ruse. Sistemi i raketave anti-tank ka hyrë në shërbim në vitin 1996, por që atëherë është avancuar vazhdimisht.

Pas lëshimit, raketa shkon me precizion të lartë drejt objektivit, ndërkohë që ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë dhe ta ngarkojnë manualisht për gjuajtjen e radhës. Një raketë Javelin kushton rreth 180 mijë dollarë dhe ushtria amerikane ka 38 mijë të tilla.

Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 540 km/h pasi lëshohet.

Kontraktorët e kësaj marrëveshjeje do të jenë kompanitë që prodhojnë raketat Javelin, Lockheed Martin dhe Raytheon Missiles and Defense.

Ministria e Mbrojtjes: Blerja, në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të FSK

Më herët gjatë 11 janarit, nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës deklaruan se blerja e raketave Javelin është parashikuar në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“FSK-ja është duke i ngritur kapacitetet e saj ushtarake, dhe, në këtë aspekt, ekziston një marrëveshje ushtarake e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që funksionon në kuadër të programit FMS, që blerjet të realizohen nëpërmjet këtij programi. Dhe, në këtë aspekt, janë të përfshirë edhe raketa Javelin dhe disa sisteme të tjera moderne të armatimit”, ka thënë Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Programi FMS (shitjet e huaja ushtarake) është një program i ushtrisë amerikane për të ofruar ndihmë të sigurisë dhe është një “mjet thelbësor i politikës së jashtme amerikane”.

Sipas këtij programi, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare, që quhet Letër e Ofertës dhe Pranimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë