Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një intervistë për median prestigjioze gjermane “Der Spiegel” ka deklaruar se Minishengeni Ballkanik “është projekti më i mirë i 30 viteve të fundit”.
“Projekti “mini-Shengen” është një nga gjërat më të mira që ka ndodhur në këtë rajon në 30 vjet. Nuk ka më luftë, jo më therje, përkundrazi një lloj Skandinavie për të varfërit. Ne mund të bëhemi një motor zhvillimi për të gjithë Evropën”-tha ai.
Kjo lëvizje e re është përballur me kritika të forta, ku shumë figura kanë sulmuar edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. I pyetur se a do të bëhet Kosova pjesë e kësaj sfere, Presidenti i Serbisë u përgjigj me fjalët: “kosovarët nuk dinë se çfarë duan”. Gjithashtu ai nuk kaloi pa komentuar mbi kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurtin, për të cilin theksoi se ka të ngjarë të bëhet udhëheqësi i Shqipërisë së Madhe. “Albin Kurti ka të ngjarë se është udhëheqësi i tyre i radhës, kjo tingëllon sikur dëshiron të bëhet udhëheqës i Shqipërisë së Madhe. Kosova e sheh veten si shtet, por ne s’e shohim të tillë”-shtoi Vuçiç, ndërsa la mundësinë e hapur për arritjen e një kompromisi me Kosovën.
Vuçiç gjatë kësaj interviste ka deklaruar se Shqipëria dhe Maqedoninë e Veriut do të përfaqësohen prej tij në takimet që do zhvillojë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. “Unë kam qenë me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në samitin e Ohrit dhe ne ramë dakord për pothuajse çdo pikë, duke përfshirë që unë të flisja me Macron në emër të të gjithëve, siç bëra javën e kaluar”-tha presidenti serb.
Sa i takon procesit të zgjerimit dhe vetos së Macron së vendosur për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, Vuçiç u shpreh se nuk mund t'ia hedhë fajin presidentit francez. "Do të ishte shumë e lehtë të ankohesh për Macron. Pyetja e vërtetë është kjo: Si do të jetë e ardhmja për ne këtu në Ballkan? A po na llogarisni, konsideroni edhe ne, apo thjesht doni të fitoni kohë? Jini të ndershëm me ne dhe ndaloni së foluri për kriteret e pranimit të lidhura me performancën relative, në fund të fundit, siç tha filozofi gjerman Leibniz, "arsye të mjaftueshme" gjithmonë mund të gjenden për të refuzuar një vend. Ajo që ne po kërkojmë është qartësia dhe parashikimi - asgjë tjetër", thekson ai më tej.
Vuçic ka folur edhe për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, ku më 4 dhjetor ai pritet të zhvillojë një vizitë në Rusi për t'u takuar me presidentin Putin. "Serbia vazhdon të jetë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ky është qëllimi ynë strategjik. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ne kemi marrëdhënie të mira me Kinën dhe Rusinë. Mbi të gjitha duhet të kemi një vëmendje për mbijetesën dhe interesat e Serbisë", shprehet Vuçiç. Ndërsa ndan bindjen se debati i nisur në lidhje mes spiunit rus dhe ushtarakut serb, i lindur si një konflikt i fundit nuk do të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. "Jo, nuk po e konsiderojmë. Ne duam të thellojmë më tej marrëdhëniet tona të shkëlqyera dhe miqësore. Por sigurisht, Serbia dëshiron të tregojë se është një vend i pavarur që di të mbrojë neutralitetin e saj ushtarake. Ne jemi duke marrë një qasje serioze dhe të përgjegjshme për situatën aktuale", thekson presidenti serb.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.